E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV, ju shpërndan rrobat e burgut ministrit Beqaj e Rexhepi

(E plotësuar) Derisa Qeveria e Kosovës, zyrtarizonte shitjen e 75% të aksioneve të PTK-së, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë zhvilluar një aksion simbolik.

Kështu, aktivistët e VV, ja dërguan në Ministritë përkatëse “rrobat e burgut”, ministrave Besim Beqaj dhe Bajram Rexhepit.

Sipas VV, si Beqaj ashtu edhe Rexhepi, janë secili më i korruptuar se tjetri, si autorë të zhvatjes në rritje të pasurisë së përbashkët.

Aktivistja e VV, Marigonë Drevinja ka thënë se Besim Beqaj dhe Bajram Rexhepi e kanë vendin në burg e jo në Qeveri.

“Për Hashim Thaçin, Besim Beqajn dhe Bajram Rexhepin, dorëheqja nuk mjafton këta të gjithë e kanë vendin në burg dhe secili duhet të shkojë më përpara se tjetri aty ose të gjithë bashkë. Besim Beqaj prej se është në krye të kësaj ministrie këtu ka lidhur shumë kontratat të dëmshme dhe të dyshimta në dëm të vendit dhe duke i shpronësuar qytetarët e Kosovës. Ai ka shitur distribucionin, PTK-në dhe tash e ka kthyer kokën e dhe nga Trepça, ndërsa Bajram Rexhepi për shkak vazhdave të skandaleve në Ministrinë të cilën ai e drejton është thirrur në interpelancë për t’u shkarkuar, mirëpo koalicioni qeveritar dhe vendet e rezervuara i dolën në mbrojtjeve skandaleve të Ministrisë së Punës së Brendshme duke u rreshtuar në anën e krimit të organizuar” ,ka thënë Drevinja.

----

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti i ka kërkuar kryeminsitrit Hashim Thaçi dhe minsitrit Besim Beqaj që t’i bëjnë publike të gjithë emrat e aksionarëve që e kanë blerë PTK-në. Në një letër dërguar mediave ai thotë se kompania është e dyshimtë. 

Më poshtë letra e Kurtit, "Kush saktësisht po e blen Telekomunikacionin e Kosovës" :

Qeveria e Kosovës pritet që 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës t'i shes për 277 milionë euro, minus 75% të 35 milionëve (dhe ndoshta edhe shumë më shumë se kaq siç shpjegoi Sindikata e punëtorëve të PTK-së). Kjo shitje është gjithsesi joligjore, jolegjitime dhe shumë e dëmshme. Shuma e tillë është ofruar prej një fondi investiv - AXOS. Sipas shënimeve në Handelsregister (ekuivalentja e ARBK-së në Kosovë) AXOS deklaron për vete se këshillon ndërmarje të ndryshme se ku duhet ato të investojnë. Pra, nuk po e blejnë Telekomin kompanitë e specializuara për këtë lëmi (telekomunikacion) por fonde jotransparente që nuk ju dihet përbërja e prejardhja. Nga një burim që nuk u identifikua, më erdhi njoftimi që në kuadër të mjeteve të ofruara e që i menaxhon AXOS kanë shumë aksione edhe kompani vendëse të lidhura me politikanë të Kosovës, përfshirë këtu kompaninë 'Zhugolli' e cila është financuese e PDK-së, shumë e afërt me kryeministrin Thaçi, dhe fituese pothuajse e rregullt e tenderëve në KEK. Më tutje, ky burim më tha që përmes këtij privatizimi të Telekomit, Thaçi synon të vrasë dy zogj me një gur: të marrë pjesë në blerjen e një kompanie kaq të vlefshme e fitimprurëse si Telekomi i Kosovës për t'u pasuruar edhe më tej; dhe, të bëjë shpërlarjen e miliona eurove të fituar përmes korrupsionit në Kosovën e pasluftës. Prandaj, kërkoj nga kryeministri Hashim Thaçi (dhe ministri i MZhE-së, Besim Beqaj) që t'i bëjë publike të gjithë pjesëmarrësit aksionerë në blerjen e TK-së e nën menaxhimin e kompaninë AXOS dhe të heq çdo dyshim lidhur me këtë informacion që mora./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›