VV letër Topit: Shqiptarët në Mitrovicë, në rrezik
TIRANE- Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i është drejtuar me një letër të hapur Kreut të Shtetit Shqiptar, Bamir Topi ku i kërkon të iniciojë për diskutim në organizatat apo strukturat ndërkombëtare si OKB dhe NATO çështjen e veriut të Kosovës.
Në letrën e tij, Kurti thekson se pas ngjarjeve të fundit në Mitrovicë, ku mbeti i vdekur edhe një qytetar shqiptar, tashmë është i qartë qëllimi i strukturave armiqësore e kriminale të Serbisë për spastrim të ri etnik në këtë pjesë të Kosovës.
Siç e dini, Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO. Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë. Nevojitet pra, veprim politik e diplomatik kombëtar, para se përmasat e spastrimit më të ri etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të ngjajnë me ato të viteve 1998, 1999 dhe 2000.- thuhet ndër të tjera në letrën e Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.
Lëvizja Vetëvendosje ka nisur letra edhe në postën e kreut të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ku kërkon nga ai mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme dhe Presidentes së Kosovës, Atifete Jahajaga, të cilës i sugjerohet që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Mitrovicë.
Më poshtë letra e plote derguar Presidentit Bamir Topi
Shkelqësisë së tij, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bamir Topi
Shkelqësia Juaj, Z. President
Tashmë është bërë e qartë situata e terrorit dhe rrezikut për spastrim të ri etnik në pjesën veriore të Mitrovicës. Sulmi i datës 8 prill 2012 ndaj familjes Haradinaj pati për pasojë vdekjen e Selver Haradinajt dhe plagosjen e fëmijëve të tij. Të nesërmen, në të njëjtën lagje, u mor peng polici i Kosovës, u përzë patrulla policore dhe u shkatërrua pika e saj statike, kurse gazetarët u sulmuan dhe pati dhunë ndaj tyre. Të gjitha këto janë më se të mjaftueshme për ta provuar qëllimin e strukturave armiqësore e kriminale të Serbisë në veri të lumit Ibër.
Siç e dini, Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO.
Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë.
Nevojitet pra, veprim politik e diplomatik kombëtar, para se përmasat e spastrimit më të ri etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të ngjajnë me ato të viteve 1998, 1999 dhe 2000.
Ndihma Juaj në këto momente është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme.
Me respekt dhe mirënjohje,
Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Prishtinë, 10 prill 2012