VV, me afishe, kundërshton dialogun

Drejtues i Sekretariatit për Aktivitete në Lëvizjen Vetëvendosje, Frashër Krasniqi ka thënë për Kosovapress se ky është aktiviteti i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje për të kundërshtuar këto takime që po mbahen mes kryeministrit Thaçi dhe atij Daçiq.
“Sot Lëviza Vetëvendosje në të gjitha rrugët e Prishtinës si dhe të qyteteve të tjera të Kosovës ka vendosur afishe në të cilat shkruan ‘Takimet Thaçi-Daçiq integrim i menaxhuar i Kosovës me xhandarmerinë serbe në veri’. Tashmë është shumë e qartë për ne që negociatat mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë janë shumë të favorshme për këtë të fundit në dy drejtime, njërën Serbia përmes këtij procesi po i afrohet më shumë Bashkimit Evropian edhe atë para Kosovës dhe Shqipërisë, kurse në anën tjetër përmes negociatave po e forcon pozitën e saj në raport me çështjet e brendshme të Kosovës tu i legalizuar dhe forcuar strukturat e saj paralele kriminale. Këtë e kemi vërejtur edhe në kohët e fundit kur strukturat e saj në veri kanë tentuar për me marr rolin e strukturave legjitime për atë pjesë”, ka theksuar Krasniqi.
Për më tepër, ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi e ka shprehur qëndrimin e saj kundër negociatave.
“Kjo për ne e ka një shpjegim të thjeshtë. Thaçi e ka kuptuar që nënshtrimi ndaj Serbisë është e vetmja mënyrë që mund me ruajt edhe më tutje pushtetin”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se gjatë vendosjes së afisheve nuk kanë pas asnjë problem. “Nuk kemi pasur asnjë problemi. Për më tepër kemi pasur rastin me biseduar me qytetarë që na kanë parë duke i vendosur këto afishe dhe të njëjtit në të njëjtën kohë e kanë shprehur po ashtu indinjatën për këtë takim shumë të padrejtë dhe fyes për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.
Ky është takimi i dytë që po zhvillohet mes dy kryeministrave të dyja vendeve. Përderisa në takimin e parë të zhvilluar, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një protestë për kundërshtuar këto bisedime, në takimin e dytë që do të mbahet sot ata kanë parë të udhës që të vendosin këto pamflete nëpër qendër të qytetit.
Jo zyrtarisht është bërë e ditur se ndër të tjera në tryezën e bisedimeve Brukseli po diskutohet çështja e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM). /kosovapress/