Kidnapohet motra e Hulkut

Autoritetet thonë se 22 vjeçarja Angelica Aparecida Vieira de Sousa kishte humbur gjurmë të hënën pasdite, pasi ishte parë për herë të fundit në një restorant në veri-lindje të qytetit Campina Grande.
Personi i cili ishte me të në atë kohë i ka thënë policisë se mendon që ajo është kidnapuar.
Oficerja e policisë së Campina Grandes, Kalina Suerde i ka thënë agjencisë Associated Press se është herët të thuhet nëse Sousa është kidnapuar, përkundër raportimeve të medias braziliane.
“Ajo mungon, askush nuk e ka parë dhe nuk di për gjë, por jemi duke marrë raporte se ajo mund të jetë kidnapuar”, ka thënë Suerde.
Ky nuk është rasti i parë që në Brazil kidnapohen të afërmit e futbollistëve apo njerëzve të famshëm dhe të pasur.
Në të kaluarën, kjo i kishte ndodhur ish sulmuesit Romario, që ia kishin kidnapuar babanë dhe sulmuesit Robinho, që ia kishin kidnapuar nënën.
Edhe nëna e sulmuesit Luis Fabiano dhe ajo e sulmuesit tjetër Grafite ishin kidnapuar si dhe motra e sulmuesit Ricardo Oliveira. Natyrisht, të gjitha ishin lëshuar, pasi u ishte paguar shuma e kërkuar kidnapuesve.