VV me alternativë qeverisëse

Nazmi Mikullovci, kryesues i Komitetit për Energji dhe Miniera në Lëvizjen Vetëvendosje, në një intervistë për Kosovapress tha se Vetëvendosja angazhohet për krijimin e një kornize ligjore, e cila do të mundësojë funksionimin dhe zhvillimin e sektorit të energjisë në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike të Kosovës dhe mirëqenies së qytetarëve.
Vetëvendosje, sipas Mikullovcit, në plan të parë e ka konsolidimin e sektorit të energjisë dhe mbrojtjen e ambientit, që nënkupton furnizim të qëndrueshëm të energjisë elektrike, sigurim të furnizimit me çmime të përballueshme, mbrojtjen e ambientit dhe caktimin e nevojave për energji të gjithmbarshme të qytetarëve të Kosovës dhe ngritje të kapaciteteve të reja gjeneruese.
Çështje tjetër e rëndësishme, sipas tij, është dhe vlerësimi i nevojave për energji elektrike. Mikullovci pohon se të gjitha vlerësimet e deritanishme që janë bërë për nevojat për energji elektrike në Kosovë, për bazë kanë pasur një rritje të bruto produktit vendor prej 4 deri në 5 për qind dhe se kjo rritje e bruto produktit vendor deri tani ka treguar se rrit varfërinë dhe papunësinë në Kosovë. Vetëvendosje, sipas tij, është për një rritje e cila mundëson ndërprerjen e ngecjes në zhvillimin ekonomik dhe e cila mundëson një zhvillim më të hovshëm dhe një zhvillim industrial të Kosovës.
“Ne Programin e VV ne parashohim që në mandatin e parë të mbërrijmë rritjen e zhvillimit ekonomik mbi tetë për qind. Kurse në mandatin e dytë një zhvillim ekonomik dyshifror. Kjo rritje ekonomike dhe programi për zhvillim industrial e rrit nevojën për energji elektrike në krahasim me bilancet që janë bërë deri tani. Rrugëdaljen ne e shohim në shfrytëzimin racional të energjisë elektrike. Vetëvendosje, shfrytëzimin racional të energjisë elektrike e sheh me ofertën e energjisë alternative për furnizim të qytetarëve. Bëhet fjalë për një program kompleks, gjithëpërfshirës dhe të kushtueshëm, me të cilin duhet shfrytëzuar resurset vendore, të sigurohet furnizim me energji elektrike, me një çmim të përballueshëm për qytetarët”, pohoi Mikullovci.
Sipas tij, Vetëvendosje me masa ligjore do të rregullojë dhe sanksionojë shfrytëzimin joracional të energjisë elektrike. Ai tha se Vetëvendosje insiston në krijimin e korporatës së linjitit në pronësi publike, në kuadër të së cilës përfshihen minierat ekzistuese, si dhe në zhvillimin e teknologjive të reja sa i përket shfrytëzimit të linjitit.
Sipas tij, Vetëvendosje me strategjinë e saj insiston që termocentralet e reja të ndërtohen me teknologjitë më të mira në dispozicion, të cilat do të mundësojnë shfrytëzimin me racional të linjitit dhe të cilat duhet të jenë minimale sa i përket ndotjes së ambientit.
Investimi i parasë publike në këto kapacitete, sipas tij, është në dobi të secilit qytetar të Kosovës, “sepse qytetarët do të kenë furnizim të rregullt me energji elektrike me çmim të përballueshëm”. Ai tha se sipas ekspertëve të BB-së, ndërtimi i kapaciteteve gjeneruese me kapital privat, ashtu si tani planifikohet, do të mbërrin çmimin prej 81.2 euro MW orë, kurse me humbjet e planifikuara teknike dhe komerciale 106 euro MW orë dhe se ky është një çmim i papërballueshëm.
“Të them që në vitin 2011 në termoelektranat Kosova A dhe B, çmimin e kanë pasur 24.4 euro MW orë. Ky dallim kaq i madh i çmimit të energjisë së prodhuar, është i papërballueshëm për qytetarët e Kosovës dhe domosdoshmërish do të vjen deri tek rritja e çmimeve. Kjo rritje kaq e madhe, ky dallim kaq i madh i çmimit, është për shkak se investitorët për investime në këto kapacitete në Kosovë, kalkulojnë një rrezikshmëri të lartë dhe çmimi i kapitalit është tepër i lartë”, tha ai.
Mikullovci po ashtu tha se në vitet e fundit në distribucion janë investuar mjete të konsiderueshme dhe pa marrë parasysh problemet e shumta, të cilat janë në këtë organizatë dhe mosfunksionimin e shtetit të së drejtës, për dy vitet e fundit, vitin 2009-2011, janë zvogëluar humbjet teknike dhe komerciale për afër 10 për qind, është rritur inkasimi për 12.5 për qind, kurse humbjet në transmision janë zvogëluar për 38 për qind. Sipas tij, në vend se tani të vazhdohet me investime në rrjetin e distribucionit të KEK-ut, tani kjo kompani po shitet për mjete qesharake.
“Në vend që tash të vazhdohet me këtë aktivitet të investimeve dhe korporatizimit, respektivisht demonopolizimit dhe funksionimit të kësaj organizate, ne tash shkojmë dhe e shesim për mjete qesharake të vogla. Praktika e deritashme ka treguar që përmirësimet sado të vogla që kanë qenë dhe investimet që kanë qenë, kanë bërë një kthesë bukur radikale në efektet financiare të krijuara në këtë organizatë. Ne mendojmë që me masa për realizimin e programit tonë në distribucion, që nënkupton pos tjerave montimi dhe instalimi i grupeve matëse, të cilat menaxhohen dhe kontrollohen prej së largu, investimi në disa kapacitete të rrjetës dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, këto humbje që tani janë 38 për qind, do të mund të mbërrin deri në 12 për qind. Me mbërritjen në këtë shkallë të humbjeve, kjo kompani do të ketë të hyra të reja afër 90 milion në vit, dhe vet ky fakt tregon nevojën që të investohet në këtë kompani, e jo të privatizohet’, tha ai.
Po ashtu, sipas Mikullovcit, privatizimi i distribucionit po bëhet në kundërshtim me strategjitë ekzistuese dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit të Kosovës.
“Privatizimi i distribucionit po bëhet në kundërshtim me këtë strategjinë ekzistuese dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit të Kosovës të dhjetorit 2008. Kuvendi i Kosovës në mënyrë eksplicite ka thënë që privatizimi mund të bëhet vetëm pasi të përfundojë korporatizimi, respektivisht formimi i korporatave të reja dhe që të bëhet vlerësimi i punës së këtyre korporatave të formuara dhe të vlerësohet ndikimi i krizës globale ekonomike, të përgatitet studimi i fisibilitetit për mënyrën dhe formën e privatizimit e mandej të bëhet privatizimi. Asnjë prej këtyre pikave nuk është realizuar. Prandaj, nuk është problemi vetëm mungesa e strategjisë, por problemi i mosrealizimit edhe i strategjive, të cilat janë aprovuar në kuvend”, theksoi Mikullovci.
Mikullovci po ashtu tha se procesi i privatizimit në tërësi, është një proces i dëmshëm për ekonominë e vendit. Ai tha se Kosova ka pasur një shans që të mësojë nga gabimet e të tjerëve, të cilët tashmë kanë kaluar nëpër këtë proces, por se ka zgjedhur një model, i cili me rezultatet e deritanishme ka treguar se ka qenë tërësisht i dëmshëm për vendin. Privatizimi në Kosovë sipas tij është zhvilluar pa ligj dhe se ky është rast unik në krejt Evropën Juglindore dhe se ka zgjatur një kohë të pakuptimit, pa program zhvillimor dhe pa krijimin e parakushteve elementare.
“E kemi një model, i cili është tërësisht i dëmshëm për ekonominë e Kosovës. Kur them i dëmshëm, pasojat këtë tek e fundit e vërtetojnë. Ka ardhur deri tek deindustrializimi total, mbyllja e të gjitha fabrikave, humbja e konceptit zhvillimor dhe të gjitha këto kemi ardhur në një qorrsokak, i cili praktikisht në kohë e tashme gati se është pa rrugëdalje”, tha ai.
Vetëvendosje në strategjinë e saj ka paraparë dhe realizimin e largpërçuesit 400 kv dhe sistemi për monitorimin dhe menaxhimin e energjisë, të krijojnë kushte të plota teknike për organizimin dhe funksionimin e Sistemit unik elektroenergjetik Kosovë-Shqipëri.
Po ashtu, strategjia e Vetëvendosjes parasheh themelimin e një laboratori hulumtues pranë Korporatës së thëngjillit, të gjenerimit, distribucionit dhe KOSTT-it. Në fazën e parë këto laboratorë do të hulumtojnë ofertën-tregun e teknologjive, teknikës dhe pajisjeve nga lëmit përkatëse dhe mundësinë e aplikimit të tyre, në kushtet tona kurse në fazën e dytë do të zhvillojnë edhe projekte hulumtuese zhvillimore./kosovapress/