E Diel, 1 Nëntor 2026

VV në mbrojtje të deputetes Alma Lama që u ofendua nga FRD

Lëvizja Vetëvensojes! ka njoftuar se sot ka marrë një njoftim në formë deklarate, në emër të Forumit Rinor Musliman për shkak të fjalimit të saj në Kuvendin e Kosovës ku ka dënuar gjuhën e përdorur nga hoxha Irfan Salihu që akuzonte për imoralitet gratë shqiptare. VV e ka quajtur këtë deklaratë të stërmbushur me gjuhë përbuzëse.

“Në të gjenden ofendime nga më të papranueshmet, për gratë, për qytetarët e Shqipërisë, për fshatarët, për banorët e Krujës, për viktimat e trafikimit, por edhe fyerje personale e familjare për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje!, Alma Lama. Në këtë deklaratë vijojnë të përsëriten me kokëfortësi fjalë banale të cilat as nuk i takojnë diskutimit publik të cilitdo qytetar, as nuk janë të denja për një besimtar”, thuhet në reagimin e VV-së.

Ata zotohen se kërcënimet ndaj Lamës dhe cilitdo aktivist tjetër nuk do të kenë sukses si dhe paralajmërojnë padi ndaj personit Noli Zhitisë, që ka dërguar letrën.

“Kërcënimet drejtuar Alma Lamës dhe ndaj cilitdo aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje! do të hasin në një kundërpërgjigje qytetare, transparente e të drejtë, dhe nuk do të kenë asnjë sukses.
Lëvizja Vetëvendosje! i ka dalë dhe do t'i dalë në mbrojtje secilit qytetar dhe secilit aktivist që kërcënohet. Bëjmë me dije përmes këtij reagimi që ndaj personit në fjalë do të ngremë akuzë ligjore, për një sërë dëmesh publike e shkeljesh ligjore që janë shkaktuar me anë të kësaj deklarate”, thuhet më tej në reagimin e VV-së.

Ata kanë kërkuar nga Lëvizja Islame Bashkohu që të distancohen nga qëndrimi i FRD-së meqë sipas VV-së Noli Zhitia që e ka dërguar letrën është anëtar i këtij subjekti. “Mësojmë se Noli Zhitia, përveçse përfaqësues i FRM, është anëtar i kryesisë të subjektit elektoral “Lëvizja Islame Bashkohu”. Ne nuk duam të besojmë që Lëvizja Bashkohu qëndron pas kësaj deklarate përbuzëse e përçarëse. Rrjedhimisht kërkojmë nga ky subjekt që të distancohet nga personi i lartpërmendur si dhe të dënojë qëndrime të tilla”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, kjo letër është në kundërshtim të plotë me vlerat e barazisë dhe drejtësisë.
“Është për të ardhur keq që organizata apo individë që gjithashtu thirren në vlerat e barazisë dhe drejtësisë sociale nuk i drejtojnë kritikat e tyre kah burimet e pabarazisë dhe padrejtësisë, pra kah Qeveria aktuale dhe sistemi shoqëror e ekonomik i imponuar prej saj. Pra, në vend se të luftohet padrejtësia dhe pabarazia i sulmojnë dhe përçmojë gratë, të varfrit dhe grupet shoqërore të marxhinalizuara, pikërisht viktimat e kësaj padrejtësie dhe pabarazie”, përfundon komunikata.

Në letrën e FRD-së, deputetja Lama e cila ka lindur në Krujë quhet refugjate si dhe në komunikatën e tyre përmenden fjalë të ulëta të njëjta me të Irfan Salihut.
”Në fjalimin e saj, refugjatja Alma Lama ka sulmuar hoxhën patriot Irfan Salihu dhe hytben e tij, në të cilën hoxha ynë i nderuar, ne popullin e Kosovës na mëson që gratë ti kemi të ndershme, ti marrim të virgjëra, besimtare dhe jo kurva, siç u bënë shumë gra në Shqipëri në vitet 90 të cilat u trafikuan në Itali për prostitute”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e FRD-së./Indeksonline/ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›