E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova pëson nga kriza ekonomike në eurozonë

Të dhënat statistikore të BE-së, sipas të cilave në tre muajt e parë të vitit 2013 është shënuar rënie e rritjes ekonomike në vendet e eurozonës, ka ngritur shqetësime edhe në Kosovë.

Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se kjo rënie e rritjes ekonomike në eurozonë do të ketë efekte negative në ekonominë e Kosovës.

Kriza ekonomike e vendeve të Eurozonës do të reflektohet në rënien e dërgesave të emigrantëve kosovarë, në rënien e eksportit tonë dhe në rënien e investimeve të huaja të drejtpërdrejta te ne. Si rrjedhojë e këtyre elementeve, do të ketë rënie të rritjes ekonomike edhe në Kosovë.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova ka qarkullim të mallrave dhe shërbimeve me 27 vendet e BE-së, si në eksport, ashtu edhe në import dhe çdo ndryshim në ecuritë ekonomike të këtyre vendeve do të ketë reflektim edhe në Kosovë.

“Ecuritë ekonomike në vendet tjera, e në veçanti në rajon dhe në Evropë kanë ndikim të drejtpërdrejt ose të tërthortë në rrjedhat ekonomike të Kosovës. Në kohën bashkëkohore mund të them se proceset ekonomike janë shumë të theksuara dhe ndikojnë në mënyrë reciproke te vendet që kanë marrëdhënie ekonomike. Prandaj, ekonomia jonë, përveç faktorit të brendshëm, varet shumë edhe nga faktorët e jashtëm”, thotë Limani.

Ndryshe, FMN-ja ka parashikuar që në Kosovë, në vitin 2013, të ketë rritje ekonomike jo më të lartë se 3 për qind.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, Kosova gjatë tre vjetëve të fundit ka shënuar rritje më të lartë ekonomike sesa parashikimet e FMN-së për vitin 2013, përkatësisht shkalla vjetore e rritjes ka qenë mbi 4 për qind. Për vitin 2013 parashikimet për rritje, sipas profesor Limanit, janë 2 deri në 2.5 për qind.

“Duke pasur parasysh rënien e investimeve direkte të huaja, mund të them se dinamika e zhvillimit ekonomik në Kosovë, sipas vlerësimit tim mund të jetë 2 deri në 2.5 për qind, për arsye se të gjitha këto elemente negative që mund t’i ketë Kosova si reflektim i krizës në eurozonë shprehen drejtpërdrejt në dinamikën e zhvillimit ekonomik te ne”, shton Limani.

Për rënien e rritjes ekonomike në vendet e eurozonë, flasin edhe përfaqësuesit e bizneseve.

Kryetari i Aleancës Kosovare e Biznesit, Agim Shahini thotë për Rel se ekonomia e Kosovës do të shënojë rënie si pasojë e këtyre trendëve negativ ekonomikë në vendet e eurozonës.

“Kosova tashmë është duke e përjetuar krizën, pasi që edhe te ne kemi rënie të investimeve të huaja rreth 40 për qind. Kjo do të thotë se investitorët e huaj po mungojnë për arsye të krizave që ata i kanë në vendet e tyre”, thekson Shahini.

Sipas statistikave të BE-së, prodhimi i brendshëm bruto i vendeve të eurozonës në tre muajt e parë të vitit 2013, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është ulur me 1.1 për qind.

Rritja ekonomike e 27 vendeve të BE-së (ku përfshihen edhe ato që nuk janë në eurozonë) gjatë kësaj periudhe, në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2012, ka pësuar një rënie prej 0.1 për qind, ndërsa në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2012, është ulur me 0.7 për qind./Indeksonline./
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›