E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaclav Klaus nënshkroi Traktatin e Lisbonës

Presidenti i Çekisë, Vaclav Klaus, ka nënshkruar sot Traktatin e Lisbonës, vetëm disa orë pasi që Gjykata kushtetuese e Çekisë mori vendimin se Traktati është në përputhje me kushtetutën e Çekisë.

Klaus në vazhdimësi ka sulmuar dhe ka zvarritur miratimin e këtij Traktati, duke theksuar se ky dokument do ti jep kompetenca të mëdha institucioneve të BE-së në Bruksel. Ai e kishte pritur vendimin e Gjykatës kushtetuese të Çekisë, para se të merrte vendimin për miratimin e këtij dokumenti.

E kam pritur këtë vendi të Gjykatës kushtetuese dhe e respektoj atë, tha Klaus, por shtoi se ai nuk pajtohet me vendimin e gjykatës.

Republika e Çekisë do të pushojë së ekzistuari si shtet sovran, pasi Traktati të hyjë në fuqi, tha Klaus.
Presidenti i Çekisë ka qenë pengesa e fundit në ratifikimin e plotë të Traktatit, i cili më herët është ratifikuar nga 26 shtetet tjera anëtare të unionit.

Presidenca suedeze e BE-së theksoi se Traktati do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor. Udhëheqësit e Europës mirëpriten lajmin për nënshkrimin e Traktatit nga ana e presidentit Klaus.

Vendimi i presidentit Klaus paraqet një hap të rëndësishëm dhe historik për gjithë Europën, tha kryeministri i Britanisë, Gordon Brown.

Gjatë fjalimit të saj para Kongresit amerikan, kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel, theksoi se me Traktatin e ri, BE-ja do të bëhet më e fuqishme dhe më e aftë për të vepruar, si dhe se do të shndërrohet në një partner të besueshëm të SHBA-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›