Obama krijon kabinetin e ri të Shtëpisë së Bardhë
Presidenti i zgjedhur Barak Obama po lëviz me shpejtësi për të formuar administratën e tij para se të marrë zyrtarisht postin janarin e ardhshëm. Janë me qindra poste për t'u plotësuar në vetëm 10 javë nga dita e inaugurimit. Në komentet e tij para personelit te Shtëpisë së Bardhë për transferimin e pushtetit, Presidenti Bush tha se ai do te krijoje gjithë lehtësitë qe periudha e tranzicionit te jete sa me e lehtë. Presidenti i falënderoi gjithë punonjësit e Shtëpisë së Bardhë dhe u bëri thirrje të bashkëpunojnë sa më ngushtë me ekipin e ri të presidentit Obama që procesi të jetë sa më i lehtë.
Burime pranë ekipit të tranzicionit të zotit Obama thanë se presidenti i zgjedhur ka grumbulluar një listë emrash për postin e sekretarit të thesarit. Ato përfshijnë Timothy Geithner, president i Bankës së rezervës Federale të Nju Jorkut , Laërence Summers, i cili ka mbajtur këtë post nën administratën e presidentit Klinton dhe Paul Volcker, ish kryetar i Rezervës Federale. Presidenti i zgjedhur i ofroi dje kongresmenitRahm Emanuel postin e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë. Zyrtarë demokratë thanë se kjo është zgjedhja e parë që bën zoti Obama në morinë e emërimeve të tjera për postet e ndryshme të administratës së re. Emri i zotit Emanuel filloi të qarkullonte dje përpara se zoti Obama të zhvillonte një takim gjashtë orësh me këshilltarët e tij më të lartë për të diskutuar tranzicionin, kabinetin dhe presidencën e tij të ardhshme. Kongresmeni i Illinoit ka qenë këshilltar politik i presidentit Bill Klinton dhe një detyrë e tillë do ta kthente atë përsëri në Shtëpinë e Bardhë. Duke folur para se të merrte ofertën, zoti Emmanuel tha se do të ishte një nder për të nëse kjo ndodhte. "E kam për nder qoftë edhe për faktin që po shqyrtohem si kandidaturë po aq sa e kam për nder që votuesit e Çikagos më zgjodhën përsëri në Kongres. Pra, kam dy shanse të shkëlqyera përpara meje. Unë jam një bir dhe nip imigranti dhe tani më jepet rasti të zgjedh mes shefit të personelit për presidentin e ri, i cili është një mik i ngushtë i imi e që unë e adhuroj dhe mundësisë për të përfaqësuar në Kongres njerëzit e Çikagos veriperëndimore, të cilët më rizgjodhën". Emanuel është demokrati i katërt më i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve. Posti i ri do ta kthente përsëri zotin Emmanuel në Shtëpinë e Bardhë ku ai ka qenë këshilltar politik i ish presidentit Bill Clinton. Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë Emmanuel u mor me investime bankare dhe para 6 vjetësh fitoi një vend në Kongres si përfaqësues i një zone të Çikagos. Në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit ai u ngrit me shpejtësi në pozita drejtuese.
Si kryetar i komitetit të fushatës demokrate në vitin 2006, ai luajti rol kryesor për t’i sjellë demokratët përsëri në kontroll në Kongres pas 12 vjetësh në pakicë. Emanuel ruajti paanshmërinë gjatë betejës së fortë në zgjedhjet paraprake mes Obamës dhe senatoresHillary Rodham Clinton për shkak të lidhjeve të hershme si me ish zonjën e parë ashtu edhe me senatorin e Ilinoit. Dy zyrtarë të fushatës së zotit Obama thanë se ai do të bëjë një deklaratë me shkrim për të njoftuar se ekipi i tij i tranzicionit do të kryesohet nga John Podesta, i cili ka qenë shef personeli i Shtëpisë së Bardhë nën Bill Klintonin, Pete Rouse, ish shef personeli i Obamës në Senat dhe Valerie Jarrett, mike dhe këshilltare e zotit Obama. Me ekonominë në krizë zotit Obama do ti duhet shumë shpejt të emërojë sekretarin e thesarit. Mes kandidatëve për këtë post janë Larry Summers, ish sekretari i respektuar i thesarit në administratën e presidentit Klinton por gjithashtu një figurë e debatueshme. Summers u përjashtua nga kryesia e Harvardit pjesërisht për faktin sugjeroi që studentet femra nuk janë aq të afta sa meshkujt për të studiuar shkencë dhe inxhinieri. Presidenti i rezervës federale të Nju Jorkut Tim Geithner shihet si një figurë që mund të sjellë besueshmëri në Uoll Strit dhe duket të jetë më pranë ideve që kërkon të vejë në zbatim zoti Obama. Një emër tjetër që qarkullon për postin e sekretarit të thesarit është ai i Paul Volker, ish kryetari i Rezervës federale nën administratën e presidentëve Regan dhe Carter. Megjithatë Shtëpia e Bardhë, do të mbajë një takim të nivelit të lartë për ekonominë më 15 nëntor dhe zoti Obama mund ta vonojë emërimin e sekretarit të thesarit. Burimet pranë fushatës së zotit Obama thonë se senatori John Kerry dhe senatori republikan Chuck Hagel po konsiderohen për në postin e sekretarit të Shtetit. Ish Sekretari i Marinës Richard Danzig është kandidati kryesor për të marrë postin e sekretarit të mbrojtjes. Zoti Obama do të informohet sot me materiale të klasifikuara të zbulimit nga zyrtarë të CIA-s.
Obama duhet të përballet me problemet e lëna pas nga presidenti Bush por edhe me premtimet e fushatës së tij
Presidenti i ri dhe sfidat ndërkombëtare
Festimet për zgjedhjen e Barak Obamës si president i Shteteve të Bashkuara, tani po ia lënë vendin përpjekjeve të presidentit të ardhshëm dhe ekipit të tij për të bërë zgjedhjet e nevojshme për sfidat që i presin me fillimin e mandatit në janar. Siç njofton nga Hjustoni korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus, ekspertët politikë dhe analistët e politikës së jashtme thonë se presidenti i ri do të përballet me sfida të vështira që në fillim. Sapo të fillojë detyrën Presidenti i sapozgjedhur Obama, do të gjendet përballë problemeve të lëna pas nga Presidenti Bush, përfshirë krizën financiare, luftërat në Irak dhe Afganistan, mundësia që Irani të prodhojë armë bërthamore dhe një numër situatash të tjera që kërkojnë vëmendje të menjëhershme.
Profesori i Shkencave Politike në Universitetin Rice Ërl Blek, bashkë autor i librit Amerika e Ndarë, thotë se presidentëve të rinj u është dashur shpesh të përballen me probleme të lëna pas nga paraardhësi i tyre. “Ai do të përballet për shembull me një situatë të ngjashme me atë që e priti presidentin republikan Ronald Regan, kur mori pushtetin në janar të vitit 1981. Ai do të trashëgojë të gjitha problemet që kanë lidhje me administratën paraardhëse”. Profesori Blek thotë se një problem për Presidentin e ardhshëm Obama mund të jenë shpresat e mëdha që ai ngjalli tek përkrahësit e tij. “Duke pasur parasysh se mesazhi i Obamës e vuri theksin tek shpresa dhe ndryshimi dhe në përgjithësi ai foli në vija të përgjithshme për to, ai ka tërhequr pa dyshim miliona përkrahës dhe ndoshta jo të gjithë ata kanë të njëjtën ide për llojin e ndryshimit që duan dhe se çfarë shpresash duan të përmbushin”. Ndër sfidat më të mëdha dhe më shqetësuese që e presin presidentin e ri, janë ato për politikën e jashtme. Piter Zaihan, nënpresident i Analizës për Stratforin, një kompani private zbulimi dhe analize në Teksas thotë se të gjithë presidentët që hyjnë në Shtëpinë e Bardhë e kuptojnë që i kanë alternativat e kufizuara. Por, thotë ai, Presidenti Obama do të përballet me disa probleme specifike. “Së pari, është Iraku. Ai u ka premtuar përkrahësve të tij se do të tërhiqet sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë nëse nuk do që të rikthehet dhe të dislokojë trupat e të fillojë luftë me Iranin, pas një ose dy vjetësh, ai duhet të tregojë kujdes në realizimin e këtij synimi. Duhet të ketë një farë marrëveshjeje me Iranin për të ardhmen e Irakut. Nëse nuk bëhet një gjë e tillë dhe thjesht tërhiqen trupat, asgjë nuk do ta ndalonte Iranin ta merrte situatën në dorë, direkt ose indirekt”.
Një lëvizje e tillë nga ana e Iranit, thotë zoti Zaihan, do të përbënte rrezik për rezervat e naftës së Gjirit Persik dhe do ta bënte të detyrueshme një ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara. Zaihan thotë se gjendja në Afganistan dhe fakti që luftëtarët Talebanë kanë gjetur strehim në Pakistanin fqinj, do të jenë gjithashtu sfida për Presidentin Obama. “Zoti Obama ka thënë se do të sjellë ndryshim në këtë konflikt duke afruar evropianët dhe duke u bërë thirrje aleatëve të NATO-s të bëjnë më shumë. Por siç e ka parë administrata e Presidentit Bush, evropianët në radhë të parë nuk i kanë forcat e mjaftueshme për të dislokuar, së dyti nuk duan në përgjithësi t’i dislokojnë ato në situata konflikti dhe së treti për shkak të krizës financiare globale, shumë prej tyre po i tërheqin forcat nga Afganistani”. Zaihan thotë se presidenti i ri do të rrezikonte të provokonte konflikt me Pakistanin nëse dërgon forca amerikane përtej kufirit të Afganistanit për të ndjekur talebanët dhe al-Kaidën. Ai thotë se problemi i tretë i sigurisë me të cilin do të përballet administrata e Presidentit Obama në arenën ndërkombëtare, është fuqizimi i Rusisë, e cila po i kundërshton me agresivitet përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për ta zgjeruar NATO-n duke përfshirë vendet e Evropës Lindore.
VOTAT
Fitorja e presidentit të zgjedhur amerikan, Barak Obama, dëshmon pa asnjë dyshim se fushata e tij tërhoqi një pjesë të konsiderueshme të Amerikës.Me votat e kolegjit elektoral, Obama fitoi mbi dy herë më shumë se sa rivali i tij republikan, Senatori Xhon Mekein.
KONTROLLI
Fitorja e Barak Obamës u ka dhënë demokratëve kontrollin e Shtëpisë së Bardhëdhe Kongresit për herë të parë që nga viti 1992. Vëzhguesit politikë thonë se fushata e Obamës kombinoi aftësinë e padiskutueshme për të përfituar nga rrethanat me një organizim dhe disiplinë shembullore.
ARSYET
Pas 8 vjet administrimi nga Xhorxh Bushi, elektorati amerikan ishte mjaft i predispozuar për ndryshime.Njerëzit ishin të pakënaqur me drejtimin e vendit dhe ishin të gatshëm dhe në pritje për diçka të re. Ata patën një mesazh të qartë se Obama ishte në anën e tyre
REPUBLIKANËT
Senatori Mekein nuk mundi ta distanconte veten nga presidenti jopopullor republikan Xhorxh Bush. Edhe zgjedhja e Guvernatores së Alaskës Sara Pejlin, si kandidate për zv/presidente nga Senatori Mekein nuk arriti që të tërhiqte votues jashtë grupeve tradicionale konservatore