E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonat informale bëhen pengesë për përcaktimin e ndarjes administrative



Emanula Sako

Qytetarët nuk dinë ku t’i regjistrojnë familjet e tyre dhe se cilës njësi vendore i përkasin. Shkak për këtë situatë është bërë shtimi i zonave informale dhe problemet me kufijtë vendorë. Shtimi i ndërtimeve të reja dhe pa kriter në kryeqytet ka bërë që një pjesë e qytetarëve që janë banorë të rinj të Tiranës, nuk dinë se cilës njësi vendore i përkasin. Për këtë arsye një numër i madh qytetarësh i janë drejtuar Prefekturës së Qarkut Tiranë për zgjidhjen e çështjes. Por kjo e fundit e ka të vështirë të marrë përsipër kryerjen e evidentimeve në terren dhe zgjidhjen e problemit të qytetarëve. Qarku i Tiranës po përballet me problemet e kufijve administrativë mes disa njësive vendore. Problemi ka qenë ekzistues prej disa vitesh dhe vazhdon të jetë ende një çështje e pazgjidhur për kryeqytetin.
Problemet
Prefekti i Qarkut të Tiranës, Ruzhdi Keçi, pak kohë më parë theksoi se ndërmjet disa njësive vendore ekziston prej vitesh konflikti i kufijve administrativë, i cili ka krijuar jo pak situata të problematike. Sipas tij, kjo çështje ishte e pamundur të zgjidhej nga Prefektura dhe për këtë arsye çështja i ka kaluar Komisionit Vendor të Titujve të Pronësisë. “Pas takimesh e diskutimesh për të zgjidhur problemin mes palëve, aktualisht Këshilli i Qarkut ka hequr dorë nga kjo zgjidhje duke e përcjellë atë pranë Komisionit Vendor të Titujve të Pronësisë”, - u shpreh Keçi. Ndërkohë, specialistët kanë përcaktuar se cilat janë zonat më problematike përsa i përket vendosjes së kufijve administrativë. Më i mprehtë ky problem paraqitet midis zonës së Pezës dhe Ndroqit, si dhe zonës Vorë-Kashar. Ndërtimet në këto zona kanë marrë një vrull të madh vitet e fundit. Ndërsa Sektori i Kompetencave Vendore për vitin 2008 ka trajtuar rreth 200 shkresa të ardhura nga njësitë e qeverisjes vendore, të cilat kanë mbartur informacione mbi investimet publike, probleme të pronësisë mbi tokën, të cenimit të banesave nga ndërtimet me ose pa leje, të kufijve administrativë midis njësive vendore etj.
Komisioni
Aktualisht, pranë Prefekturës së Qarkut të Tiranës është ngritur Komisioni i Titujve të Pronësisë, që ka filluar punë më 13 tetor 2008. Megjithëse Komisioni ka filluar punë prej disa muajsh, specialistët po përballen me mungesë të logjistikës së nevojshme, ku akoma nuk është plotësuar kuadri ligjor për funksionimin normal të tij. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe 3-mujore janë protokolluar gjithsej 355 kërkesë-ankesa. Keçi cilësoi si një problem të pazgjidhur marrëdhëniet mes drejtorive rajonale dhe njësive vendore për mosvjeljen e gjobave të aplikuara prej strukturave kontrolluese. Sipas tij, nga ana e policive bashkiake dhe asaj komunale nuk po administrohet siç duhet ky fenomen, duke injoruar indirekt këtë burim të ardhurash.

16 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›