E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza 26 vjeçe: Më detyruan të abortoj

 

Trazhgim Sokolaj

Katër persona të akuzuar për shfrytëzimin e një vajze nga Dibra për ushtrim prostitucioni, si dhe për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë ndaj saj, rikthehen në bankën e akuzës tek Krimet e Rënda. Tri ditë më parë, më 8 shtator, Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzoi në gjykatë dosjen penale nr.122, ndaj të pandehurve Agim Hoxha, Alket Rushiti, Ervin Premçi dhe Gjergji Xheraku. Ata akuzohen për veprën penale “trafikim të femrave për prostitucion”. Krimi është kryer ndaj një vajze nga Dibra, e cila është marrë nga vendlindja e saj dhe është mbajtur në Durrës ku të akuzuarit kanë dashur ta shesin tek njëri-tjetri duke e këmbyer me një makinë “Mercedes Benz”, më pas e kanë shitur për 1.5 milionë lekë, ndërsa vajza ka mbetur shtatzënë dhe është detyruar të abortonte fëmijën. Grupi i personave të akuzuar për këtë rast ishte përballur me gjykatën tri vite më parë, ndaj tyre u dhanë dënime që në total shkojnë 64 vjet burg. Megjithatë Gjykata e Lartë gjeti shkelje në gjykimin e çështjes dhe e ktheu atë për rigjykim. Në këtë mënyrë, Prokuroria përsëriti një sërë veprimesh hetimore dhe tashmë dosja është dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ta pandehurit nuk i kanë pranuar akuzat. Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe deklarimeve të vajzës, ngjarja pasqyrohet në dosjen penale si më poshtë.
Më 24 janar 2004, Afërdita M., paraqitet në Prokurorinë e Dibrës bashkë me të atin Hekuran M., dhe kallëzon penalisht A.F., U.H., (akuza ndaj këtyre dy personave ra në gjykimin e parë) Agim Hoxhën, Gjergji Xherakun, Ervin Premçin dhe Alket Rushitin. Vajza pretendon se është përdhunuar e trafikuar për prostitucion ndërsa kallëzimi u mor nga oficeri i Policisë Gjyqësore Andi Marku. Sipas kallëzimit, Afërdita M., 26 vjeçe, banuese në një fshat në Dibër, më 11 korrik 2002 u largua nga shtëpia pasi e kërkoi një fqinje e saj e quajtur Sybie. Pasi doli nga shtëpia vajza hipi në një automjet, drejtues i të cilit ishte Artan F., që po priste afër shtëpisë së 26-vjeçares. Vajza i ka kërkuar atij ta çonte tek furgonat e linjës Peshkopi-Tiranë se donte të shkonte në Durrës. Artani e ka çuar tek karburanti në pronësi të Urim Ramës, të cilin në kallëzim vajza e akuzon se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj. Të nesërmen Afërdita është nisur për në Tiranë. Kur ka mbërritur atje ajo ka komunikuar në telefon me burrin e tezes së saj, Baftjar H., banor në Shkozet, Durrës, të cilit i ka thëne se ishte duke shkuar tek ai dhe i kërkoi të dilte ta priste.
Pasi ka mbërritur në Durrës dhe ka konstatuar se nuk po e priste njeri, vajza është vënë në kërkim të banesës së Baftjar Hoxhës. Në këtë kohë i janë afruar të pandehurit Agim Hoxha dhe Gjergji Xheraku, të cilët i kanë premtuar ndihmë për gjetjen e shtëpisë që po kërkonte.
Ata e kanë çuar Afërditën në shtëpinë e Agim Hoxhës ku nuk kishte njerëz të tjerë. Sipas kallëzimit të vajzës, të dy, si Agimi dhe Gjergji për disa ditë me radhë, kanë dërguar në shtëpi persona të ndryshëm me qëllim shitjen e saj si prostitutë. Pas disa ditë qëndrimi në këtë shtëpi, Afërdita i ka sugjeruar atyre që të kontaktonin me numrin e telefonit 0692161... që i përkiste Ervin Premçit, të cilin vajza e kishte njohur më parë. Pronari i shtëpisë Agim Hoxha, duke përdorur telefonin me numër 0692128... të shokut të tij Gjergji Xheraku ka biseduar me Ervin Premçin. Të nesërmen në shtëpinë e Agimit ka shkuar vetë Ervini, i cili u ka propozuar të dyve që, në këmbim të Afërditës, t’u linte makinën e tij tip “Mercedes Benz”. Pasi kjo ofertë nuk është pranuar, në ditët në vijim Ervini ka shkuar përsëri në shtëpinë e Agimit dhe ka marrë Afërditën pasi ka dorëzuar shumën 15.000 lekë. Ervini e ka sistemuar atë në banesën e tij në një dhomë të katit të dytë. Ditën e tretë të qëndrimit të saj në këtë shtëpi vajza është zbuluar nga babai i Ervinit, K. Premci, i cili i ka përzënë të dy nga shtëpia me argumentin se nuk mund të pranonte bashkëjetesën e tyre.
Pas largimit nga shtëpia e tij, Ervini e ka sistemuar Afërditën në shtëpinë e një shoku të tij të quajtur Fredi Qoku, i cili jetonte i vetmuar. Tek shtëpia e Fredit, Ervini dhe Afërdita kanë qëndruar rreth një muaj. Sipas deklarimeve të vajzës gjatë kallëzimit Ervini ka sjellë në këtë shtëpi, nëpërmjet një kushëriri të tij, një shtetas grek i cili ishte i interesuar për të blerë Afërditën për qëllime prostitucioni, por ka hasur në kundërshtimin e saj. Në mesin e muajit shtator 2002, Ervini vihet në kontakt me Alket Rushitin, të cilit ia shet të dëmtuarën Afërdita. Ajo ka kundërshtuar, por Ervini e ka kërcënuar se do ta linte në rrugë. Blerësi Alket e ka çuar Afërditën tek moteli në pronësi të kushëririt të tij, që ndodhej në Ardenicë të Fierit. Në motel vajza ka qëndruar për rreth tre javë. Gjatë kohës që vajza qëndronte në motel, Alketi ka bërë përpjekje për t’i siguruar asaj pasaportë për ta dërguar në Itali për qëllime prostitucioni. Në ndihmë të Alketit janë vënë dy persona që nuk janë identifikuar nga autorja e kallëzimit.
Në një moment që Alketi konstaton se Afërdita ishte shtatzënë e kthen atë tek Ervini nga e kishte marrë. Ky i fundit, sipas shpjegimeve të vajzës, nëpërmjet dhunës fizike dhe psikologjike, me ndihmën e një shoqeje të tij të quajtur Eglantina, e ka detyruar të dëmtuarën të abortojë në spitalin e Durrësit, duke e regjistruar me emër të rremë. Pas abortit, Ervini së bashku me Afërditën janë kthyer në shtëpinë e prindërve të tij, ku ajo ka qëndruar për gati një vit, deri në korrik të vitit 2003. Në një moment kur Ervini nuk ndodhej në banesë, vajza është larguar në drejtim të Kosovës ku ka qëndruar deri në muajin nëntor 2003. Në këtë kohë atë e kanë kthyer në Shqipëri pasi nuk ka qenë e pajisur me dokumente.

Të akuzuarit

Agim Hoxha
Alket Rushiti
Ervin Premçi
Gjergji Xheraku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›