“Zhduken” në Greqi 9 dëshmitarët e Aldo Bares, refuzojnë gjyqin
TIRANE – Avokatët e anëtarëve të “Bandës së Lushnjës” kërkuan dje ndryshimin e trupit gjykues që po shqyrton dosjen në fjalë. Seanca e djeshme u zhvillua me debateve të ashpra mes avokatëve dhe trupit gjykues. Replikat u “finalizuan” me kërkesën për ndryshim të pesë gjyqtarëve të çështjes. Shkak për debatin u bë pranimi nga ana e gjykatës i leximit të deklaratave të Lorenc, Alfred e Emiliano Dajës, Servete Haxhiut dhe Gramoz Selmanit të dhëna në ambasadën shqiptare në Athinë. Kjo, pasi ata kanë qenë rezidentë në shtetin grek në periudhën e hetimeve paraprake të çështjes. Të sipërpërmendurit ishin thirrur për të dëshmuar në seancën e djeshme, por meqë sipas policisë së Lushnjës ata vazhdonin të ishin rezidentë në Greqi, prokurori kërkoi leximin e deklaratave të dhëna prej tyre në shtetin fqinj. Sipas mbrojtësve, “njëri prej këtyre personave, Gramoz Selmani, kërkohet nga policia dhe Interpoli për akuzën e vrasjes dhe nuk mund t’i besohet deklarimeve të tij të cilat kërkohen të paraqiten si provë prej prokurorisë”. “Po paragjykohet pyetja e këtyre personave në ambasadën shqiptare në Athinë, duke i quajtur të ligjshme, pa u bërë verifikim. Ju si trup jeni të treguar të njëanshëm në gjykim”, u shprehën mbrojtësit kundrejt trupës gjykuese. Ndërsa ka hasur në kundërshti me vendimet e trupit gjykues njëri prej avokatëve braktisi në mënyrë demonstrative sallën e gjyqit. Largimi i tij u bë shkak edhe për dështimin e seancës, pasi njëri prej të pandehurve ngeli pa mbrojtje. Në seancën e djeshme duhet të bëhej pyetja e 11 dëshmitarëve, nga të cilët ishin të pranishëm vetëm dy. Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina akuzohen nga prokuroria për “vrasje me paramendim, mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe organizatë kriminale”. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda ata janë ish- anëtarë të “Bandës së Lushnjës” të drejtuar nga Aldo Bare, i cili gjykohet në mungesë për shkak se ndodhet i arrestuar në Turqi. ar.ba