E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vajza e Bisht–Pallës, Prokuroria rrëzon akuzën e trafikimit

24/02/2005  TIRANË – Eduard Hersi ishte i bindur se organi i Prokurorisë do të reflektonte dhe në fund do ta çlironte nga akuza e trafikimit të të miturave për prostitucion. Kështu, pasi ka dëgjuar për më shumë se 30 minuta prokurorin e çështjes, i pandehuri e ka parë veten të lirshëm, kur ka dëgjuar se ndaj tij nuk mund të qëndrojë më akuza e trafikimit të të miturave. Prokurori Eugen Beçi, i kërkoi gjykatës dënimin e të pandehurit vetëm me tre vite heqje lirie për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, ndërsa u tërhoq për akuzën e trafikimit të Oltjona Limajt. Vajza që e dërgoi në pranga Hersin, i thirrur nga shumë shokë me emrin "Foksi", ka shumë histori përdhunimi dhe trafikimi. Njihet si një nga vajzat që ka dërguar në burg numrin më të madh të djemve, duke filluar nga reparti i Bisht–Pallës. Tashmë vajza ka rënë edhe vetë në duart e policisë. Ajo ndodhet në arrest burgu pa afat për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit. Prokurori Eugen Beçi, në konkluzionet e djeshme, u shpreh se provat e paraqitura para gjykatës treguan se, vajza me emrin Oltjona Limaj ka ikur në Kosovë me dëshirën e saj dhe kur është kapur nga policia ka deklaruar se është trafikuar. Prokurori pohoi disa dëshmi të pronarëve të lokalit në Kaçanik të Kosovës, ku vajza ka qëndruar disa ditë. Po kështu, edhe morali i saj ka ndikuar në dhënien e konkluzioneve dhe heqjen e akuzës së trafikimit për Eduard Hersin.

Më 8 janar 2004, Eduard Hersi, i vitlindjes 1966, baba i katër fëmijëve, merret i pandehur nën akuzën e trafikimit të fëmijëve. Emri i Hersit, i thirrur ndryshe "Foks", doli nga goja e vajzës Oltjona Lima, e cila vetëm pak muaj më parë kishte arritur të tregonte emrat e ushtarëve të Bisht-Pallës dhe t'i dërgonte për hetim. Ndërsa në nëntor ajo shpërtheu skandalin e parë, në janar nxjerr skandalin e dytë. Këtë gjë e bëri, pasi më parë kishte dhënë deklarime në policinë e Kaçanikut, Kosovë, kur ishte zbuluar nga forcat e UNMIK-ut. Vajza kishte deklaruar se i pandehuri, në bashkëpunim me persona të tjerë, në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit 2004, e dërgoi atë në Kosovë dhe e detyroi të bëjë prostitutën. Është hera e parë që organi i Prokurorisë nuk merr parasysh deklarimet e një vajze për të futur në burg personin, me pretendimin se e ka trafikuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›