E Hënë, 2 Nëntor 2026

Xhafa: Ptrokurorët dhe gjyqtarët të përdorin ligjin për të goditur krimin

24/02/2005  Mandoi, gjyqësori dhe zyrtarët shqiptarë pengojnë hetimet

TIRANË – Bashkëpunimi ndërkombëtar gjyqësor dhe policor, në kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara, ka mbledhur në një tryezë të përbashkët krerë të Ministrisë së Drejtësisë italiane dhe asaj shqiptare. Në këtë takim, që kishte si qëllim bashkëpunimin midis dy vendeve për të luftuar krimin e organizuar, ishte i pranishëm edhe zv.prokurori i antimafias italiane, Françesko Mandoi. Pikërisht, lufta kundër krimit të organizuar, që është fenomen tashmë i njëjtë për të dy vendet, detyroi këtë të fundit të shprehet ashpër për mangësitë e hetimeve dhe ngadalësinë që e karakterizon drejtësinë e vendit tonë. "Krimi në Shqipëri dhe në Itali, tashmë është bërë një i vetëm". Me këtë fjali, Mandoi filloi fjalën e tij para të pranishmëve, në seminarin e organizuar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë. "Burokracia e gjyqësorit dhe zyrtarëve shqiptarë, në të shumtën e rasteve, janë bërë pengesë për zhvillimin e hetimeve, me qëllim luftimin e krimit të organizuar". Kështu u shpreh zv.prokurori i antimafias italiane dje para përfaqësuesve të gjykatave, prokurorisë dhe policisë, në seminarin e organizuar me nismën e autoriteteve të drejtësisë italiane. Mandoi e bëri këtë deklaratë, për të shtuar më tej faktin se shumë kriminelë me emër që fshihen në Shqipëri, janë të mbrojtur nga zyrtarët e vendit tonë, po aq sa janë favorizuar edhe nga gjyqësori. Më tej, në fjalën e tij, kreu i antimafias italiane, tha se me Shqipërinë ka një bashkëpunim që prej vitit 1997, i cili në disa raste ka qenë i frytshëm, por nuk la pa përmendur faktin se, tashmë ka ardhur koha e ngritjes së grupeve të përbashkëta për hetimin e organizatave kriminale. Mandoi në fjalën e tij pohoi se, midis dy vendeve ka vështirësi të mëdha për përndjekjen e kriminelëve, gjë që reflektohet në mënyrën e hetimit. Punën e hetuesve shqiptarë dhe Prokurorisë sonë, zv.prokurori i antimafias italiane e quajti shumë të ngadaltë, krahasuar me atë të vendit të tij, të cilën e cilësoi disa hapa para. Në seminarin e djeshëm, Mandoi para shumë të ftuarve tha se, shumë dosje të përbashkëta duhet të hetohen me shumë vëmendje. Sipas tij, duhet të ngrihen grupe të përbashkëta hetimi.

Xhafa

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafa, e quajti seminarin e organizuar me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë italiane, një tregues mjaft pozitiv. Për Xhafën, këto aktivitete të përbashkëta shprehën nivelin e lartë të marrëdhënieve që ekzistojnë mes Italisë dhe Shqipërisë. Ky proces legjislativ, i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë, ka krijuar terrenin e nevojshëm që veprimet kriminale të investigohen, hetohen dhe gjykohen, bazuar në një legjislacion edhe më efektiv. Për ministrin tonë, ligji është vetëm kryefjala e një angazhimi kompleks, që nevojitet për zbatimin e tij. Kreu i Drejtësisë, Xhafa, tha se fjalën për të zbatuar këtë ligj e kanë profesionistët, prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët, për shkak të pozicionit të tyre, mund të përdorin këto instrumenta për të goditur krimin dhe lidhjet e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›