E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkurtohet koha e rimbursimit të TVSH–së për eksportuesit

24/02/2005  Skema e re e rimbursimit të TVSH–së

Kategoria e parë, eksportuesit me risk zero, do të rimbursohen brenda 15 ditëve dhe pa kontroll paraprak

Kategoria e dytë, me risk mesatar, do të rimbursohen brenda 25 ditëve dhe pa kontroll paraprak

Kategoria e tretë, do të përfshihen të gjithë eksportuesit e tjerë, të cilët do të rimbursohen brenda 30 ditëve

Tatimorët do të paguajnë interesa për çdo ditë vonese, pas kalimit të 30 ditëve

Ministri i Financave paraqet skemën e rimbursimit, bizneset do ndahen në 3 kategori

Alternativat fiskale dhe tentativa për të patur përkrahjen e biznesit, kanë bërë që Paketa Fiskale 2005 të përmirësojë performancën e saj. Ministri i Financave dhe drejtuesit e tatim-taksave, kanë prezantuar përpara biznesit një program që shkurton kohën e rimbursimit të TVSH–së, sidomos për eksportuesit, që e kanë të pastër kurikulumin e aktivitetit të tyre. “Ne kemi sfidën të zgjidhim përfundimisht problematikën e rimburisimit të TVSH-së”, tha ministri Malaj, gjatë fjalës së tij në takimin me biznesin. Sipas Malajt, programi i prezantuar nuk jep zgjidhjen automatike dhe të menjëhershme të këtij problemi shumë të mprehtë, por krijon bazën e plotë ligjore dhe administrative për zgjidhjen e problemeve të trashëguara, minimizon mundësinë për krijimin e stoqeve të reja për TVSH-në e parimbursuar. Aktualisht, tatimorët i detyrohen biznesit rreth 800 milionë lekë TVSH të pashlyer, pa folur për 5 për qind të vlerës së TVSH–së së çdo muaji. Pikërisht këto janë dy nga momentet, të cilat kanë kërkuar zgjidhje brenda Paketës Fiskale 2005 dhe për të cilat ministri i Financave pretendon se janë në rrugën e zgjidhjes. “Nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe që realizon pagesat e prapambetura për 800 milionë lekë, proces i cili nuk duhet të vonohet dhe duhet të mbikëqyret në zbatimin korrekt të tij”, tha Malaj, duke deklaruar se rreth 800 milionë lekë të prapambetura do të shlyhen brenda 2005-ës. Ndërkaq çështja e rimbursimit të TVSH–së për eksportuesit, kishte të bënte me një zgjidhje më afatgjatë. Malaj ka prezantuar dje modelin e aplikimit të një sistemi më të shpejtë të rimbursimit të eksportuesve, duke aplikuar praktikat moderne të analizës së riskut. Qëllimi i këtij modeli është përshpejtimi i procedurave të rimbursimit të TVSH-së për këto kategori biznesesh, brenda afatit ligjor. Kështu, eksportuesit me risk zero apo minimal, do të rimbursohen brenda 15 ditëve dhe pa kontroll paraprak. Ata me risk mesatar do të rimbursohen brenda 25 ditëve dhe pa kontroll paraprak, ndërsa në kategorinë e tretë do të përfshihen të gjithë eksportuesit e tjerë, të cilët do të rimbursohen brenda 30 ditëve, por duke iu nënshtruar paraprakisht kontrollit nga administrata tatimore. Malaj u premtoi bizneseve se, Ministria e Financave do të monitoronte nga afër zbatimin e sistemit të rimbursimit, duke kërkuar angazhim maksimal profesional nga administrata fiskale, angazhim të Agjencisë së Nxitjes së Eksporteve dhe shoqatave të eksportuesve për ballafaqime periodike të zbatimit të sistemit të rimbursimit dhe momenteve të rëndësishme të paketës fiskale.

Eksportuesit, jo privilegjeve në rimbursim

Modelin e ofruar nga Drejtoria e Tatimeve dhe Ministria e Financave, për të ndarë eksportuesit në tre grupe dhe për të shpejtuar rimbursimin, eksportuesit nuk e kanë konsideruar shumë të drejtë. Sipas tyre, nuk duhet të ketë privilegje në rimbursimin e TVSH-së, sepse të gjithë eksportuesit kanë nevojë për fonde në dispozicion dhe në këtë prizëm duhet të jenë të barabartë. “Ajo që ju keni prezantuar para nesh, nuk është një analizë risku, por një procedurë e thjeshtë që, në fakt, duhet të jetë njëlloj për të gjithë eksportuesit", ka deklaruar Genc Boga, jurist pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë. Sipas Bogës, qeveria ka informacion se sa është vlera e 5 përqindëshit, në muaj duhet të paguajë për TVSH–në korrente dhe borxhin e vjetër prej 800 milionësh dhe, gjithë sa duhet të bëjë është që të menaxhojë mirë këtë proces për të kthyer në kohë TVSH-në pa bërë dallime mes bizneseve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›