Dy oficerë, sherr me armë në ambientet e policisë
E gjithë policia e Shkodrës është vënë në alarm mëngjesin e djeshëm nga një sherr banal mes dy oficerëve të saj, që ka përfunduar me të shtëna armësh. Ngjara ka ndodhur pak pas mesnate në stacionin e policisë kufitare në Kala, ku një nënkomisar dyshohet se ka hyrë me dhunë në ambientet e brendshme dhe është konfliktuar me rojën e atyshëm. Sipas të dhënave policore, ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 01:55 në stacionin e policisë të lartpërmendur. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka marrë informacion se në ambientet e këtij stacioni ka hyrë me forcë specialisti i sektorit të antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, nënkomisar Afrim H. Ai është grindur me rojën Idriz K., i cili është oficer i Drejtorisë Rajonale të Kufirit në Policinë e Shkodrës. Gjatë konfliktit, oficeri i kufirit ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në ajër. Menjëherë pas këtij informacioni, policia ka marrë masa dhe ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes në bashkëpunim edhe me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm. Dy personat në konflikt janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar se konflikti kishte ardhur pas një sherri për motive morale që kishte lidhje mes dy personave. Sipas të dhënave policore, dyshohet se Idriz K. ka lidhje me vajzën e nënkomisarit dhe për shkak të kësaj ka ardhur edhe konflikti. Megjithatë, zbardhja e plotë e tij pritet në ditët në vijim. Ndërkaq, çështja ka vënë në lëvizje edhe drejtuesit e policisë së Shkodrës për të përcaktuar të dëmtuarit dhe fajtorët e kësaj ngjarjeje, si dhe për të marrë masat ndëshkimore ndaj dy oficerëve, nëse ata kanë shkelur rregulloret e policisë.