E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen, qëllohet me armë grupi i gatshëm i policisë

Kundërshtojnë dhe godasin patrullën e policisë, më pas terrorizojnë kalimtarët duke qëlluar në ajër dy herë me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:10 të së shtunës në qendër të qytetit të Rrëshenit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë, bëjnë të ditur se mbrëmjen e së shtunës, në sheshin "Abaz Doçi", teksa po zhvillohej një koncert nga ansambli i shtetit, dy të rinj në gjendje të dehur kanë kundërshtuar patrullën e policisë. Edmond Bardhok Biba (Ndoj)35 vjeç, lindur në Fan të Mirditës dhe banues në Tiranë, si dhe 28-vjeçari Arjan Preng Perleka, banues në fshatin Ndërfushas, të Mirditës, në gjendje të dehur kanë nisur të grinden me patrullën e shërbimeve të rendit, të cilët ndodheshin në qendër të qytetit për të garantuar qetësinë dhe rendin publik gjatë zhvillimit të aktivitetit kulturor. Dy të rinjtë e sipërpërmendur, kanë nisur fillimisht të grinden dhe më pas të fyejnë dhe godasin me grushte efektivët dhe makinën e patrullës së policisë. Në momentin që uniformat blu kanë tentuar neutralizimin dhe ndalimin e tyre, në mbrojtje të Bibës dhe Përlekës, kanë ndërhyrë një grup të rinjsh që ndodheshin aty pranë. Kjo u ka krijuar mundësi dy të rinjve, tashmë të shpallur në kërkim policor, të largohen me shpejtësi me një automjet tip "Benz" me ngjyrë të zezë dhe targa MR 2201 A. "Gjatë momentit që largoheshin nga qyteti, Arjan Përleka, që ndodhej në vendin e pasagjerit ka qëlluar dy herë në ajër me armë zjarri, një pistoletë tip TT. Gjatë kontrollit të ushtruar në vendngjarje, ekspertët kriminalë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete TT", ka sqaruar për "Shqip", Elona Nika, zëdhënëse e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë. Burimi në fjalë saktëson se policia nuk ka kundërvepruar në asnjë moment ndaj dy të rinjve dhe nuk ka pasur përplasje me armë zjarri mes uniformave blu dhe personave të shpallur në kërkim. Ndërkohë, policia ka ushtruar kontrolle në të gjithë zonën ku mendohet se mund të jenë fshehur dy të kërkuarit. Mësohet se është kërkuar ndihma e kolegëve të kryeqytetit dhe është ushtruar kontroll dhe në banesën e 35- vjeçarit Edmond Biba, i cili jeton në lagjen Laprakë, të kryeqytetit. Mendohej se dy të kërkuarit pas ngjarjes të ishin nisur drejt Tiranës, por gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Bibës nuk është gjetur asnjë gjurmë e tyre. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa drejtues të lartë të policisë lokale janë mbledhur në Komisariatin e Mirditës për të analizuar ngjarjen. Ndërkohë, burimet zyrtare të Policisë së Qarkut Lezhë pohojnë se dy të rinjtë njihen si persona me precedentë penalë. Ndaj tyre kanë rënduar më parë akuzat e grabitjes me armë dhe prishje e rendit dhe qetësisë publike. Ata njiheshin si persona problematikë dhe po punohet për kapjen sa më shpejt të tyre dhe vënien para organeve të drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›