Dy ditë në Lekas, ku rruga është mit dhe ëndërr
Reportazh
E dija para nisjes nga Tirana se për të shkuar në Lekas a Marjan gjysmën e udhëtimit prej Korçës e më tej, qoftë duke shkuar nga Voskopoja, qoftë nga Vithkuqi, do ta bënim me mundim. Pikërisht shenjat që kisha parë në hartat e numerizuara, që sot të mundësojnë deri pamje tripërmasëshe: kurrize malesh dhe relieve të ashpra, më erdhën ndërmend kur, aty nga ora 14.00, ndalojmë ndanë udhës për të pyetur një prej banorëve rrallë, që kanë dalë aty të shesin ca kokrra mollë e qepë që sdihet si u kanë dalë tepër.
Duhet të marrim rrugën për në Lekas, dhe të kërkosh tabela drejtuese është një marrëzi. Lekasi ku duhet të jete? Do kaloni Voskopojën dhe do merrni në të majtë, na shpjegon fermeri. Lekasi është vetëm 40 kilometra nga Korça, por bashkëbiseduesi ynë na e shuan menjëherë entuziazmin: Ohuu, është poshtë, tutje; rruga është e çalë … por – ndoshta pa pezm e dëshpërim në sytë tanë dhe po aty shtoi, duke përkëdhelur ballin e autoveturës fuoristradë me të cilën udhëtojmë: Kjo e uruar është aq e mirë sa do të veni më shpejt se ju thashë. Bo-bo, paska shumë baltë, kjo qenka sikur e kanë bombarduar. Eshtë e vështirë, por do të shkojmë, tha shoferi, sikur do të inkurajonte vetveten. Ama dhe ky shefi ynë, si spërton e vjen deri këtu, në fund të botës, shton Anila, nuk e di a me qortim a me admirim për gjermanin që drejton misionin e luftës kundër skamjes.
Eshtë i pashoq, nuk ka lënë cep e skutë pa shkuar! E ka prekur gjithë Shqipërinë, ku është më keq. Çuditem si ia del. Ndërsa unë e kam mendjen të ndarë: E paskam zili, lum si ai!
Për të shkuar nga Tirana në Korçë duhen tri orë. Për të shkuar nga Korça në Lekas duhen më shumë se tri orë, megjithëse largësia është vetëm 40 kilometër. Dhe prej Voskopojës, ku rruga e mirë ndërpritet, mbeten vetëm 20 kilometër. Sa gjysma e rrugës Tiranë-Durrës, them për të rikthyer sadopak entuziazmin. Po, tha shoferi, me një intonacion të tillë sikur të kishte pasur në mendje: Çna the! Udhëtojmë në heshtje mes gropave dhe rrëkeve derisa diku përballë na shfaqen katër drejtime rrugësh të ndara si gishtat e një dore. Asnjë shenjë jete, asnjë zë, madje dhe natyra sikur po bënte pak pushim: shiu sikur ishte rralluar dhe nuk ndihej asnjë gjëmim. Vetëm përrenj që shfryjnë dhe fishkëllimë furish të frikshme. Kaq e vetme, pa frymë njeriu, vetëm me vrazhdësinë e natyrës, e sertë dhe e bukur njëherësh, smbaj mend të kisha qenë ndonjëherë.
Madje edhe kur kisha shkuar në Theth a në malet e Mokrës. Mua më vjen për të qeshur nga turbullimi i shoferit. Gati sa nuk na e thotë me zë: kemi humbur, nuk dimë nga tia mbajmë. Kjo rruga këndej është e nxirë prej rërave minerale. Andej duhet të kenë kaluar makina të paktën dje. Kjo e anës së djathtë duhet të jetë jona. Unë jam e fundit që mund të flas për këtë. Marrim drejtimin që zgjedh shoferi dhe çapitemi në një grykë-humnerë, me rrëpira të thikëta, me shkurre të kafenjta, sikur ti kish zbukuruar njeriu me pluhur kakao të tharë. Kjo e kuqrremëta qenka e e tërndafilit të egër, ja ku qenka me shumicë dhe kolumbria, kushërirë e qershiglës (boronicës, blackberry-së). Herë-herë më duket vetja si astronaute. Për më tepër që shiu na e pengon pamjen dhe frymëmarrjet tona të sforcuara kanë krijuar perde avulli në xhamat e makinës.
Arritëm! Ja ku është fshati! Eshtë sërish Anila që e rikthen gëzimin në mesin tonë. Ne dolëm me shpejtësi të katër si me komandë. Përshëndetëm shpejt e shpejt dhe pyetëm për të bindur veten se kishim arritur: Si je xhaxha? Jemi në Lekas? Mirë ini ju oo? – përgjigjet sipas kodit të mikpritjes xhaxhai. Jooo, sjeni në Lekas, këtu jeni në Gjergjovicë. Lekasi është më tutje. Ua, çfarë thua kështu! – su përmbajt shoferi. Po ku është ky Lekasi, se na çmendi. Mendo sikur të kishim vendosur për të shkuar në Marjan!
Po ju pse mërziti, rrini në Gjergjevicë, gjene tanët jemi me ata të Lekasit. Ndërsa këmbejmë dy-tri fjalë mirësjellje me të vetmin banor të Gjergjevicës, mësojmë se i gjithë fshati është shkulur e nuk ka mbetur frymë njeriu. Edhe xhaxhai jeton në Tiranë, por ka një shtëpi verimi në Gjergjevicë e vjen herë pas here ta shohë. Këtu ska tjetër njeri, madje as telefonë dore nuk ka. Në verë ka njerëz që vijnë e verojnë. U ndamë miqësisht me të dhe unë vrisja mendjen si mund të ndihet njeriu fill i vetëm në një fshat dikur të njohur. Vetëm me natyrën. Diku kam lexuar se njerëzimi i së ardhmes nuk do të ketë më të majtë e të djathtë, por vetëm dy krahë: pro dhe kundër natyrës. Nuk jam e sigurt në dialogjet me veten: meditimi është filozofi e njeriut të qytetit, apo ka lindur nga nevoja për të ndenjur vetëm?
Ndjekim këshillën e xhaxhait nga Gjergjevica dhe ecim me shumë kujdes, derisa përballë na shfaqet i frikshëm mali i Ostrovicës. Tashmë ka filluar të errësohet dhe gjithandej na rrethojnë male e rrëpira pa këmbë njeriu. Derisa sytë e mprehtë të Anilës dallojnë atje tej ca shtëpi me çati të kuqe. Jemi me fat, thotë sikur të fliste me vete. Ua, fëmijë! – thirri me gëzim. Fëmijët na buzëqeshin, por nuk afrohen, janë shumë të kujdesshëm, të drojtur dhe fjalëpakë. Ne deshëm të bëjmë foto me ta, një çupke bjonde me sy të bojeqielltë madje iu lutëm, por nuk arritëm ta bindnim të na afrohej. Jemi në Lekas apo jo? Po, në Lekas, ja, atje poshtë është. Zbritëm ku na thanë dhe menjëherë u gjendëm mes banorësh të fshatit – nuk e morëm vesh nga e si dolën. Si jeni, mirë? – i përshëndes me ngrohtësi. Mirë bre, si jeni ju? Keni ardhur të na shihni? Ashtu, duam të pyesim e të mësojmë për fshatin tuaj. Shumë mirë, eni nga unë sonte e llafosim pastaj. Jo, jo sdo rrimë gjatë, xhaxha, do kthehemi në Korçë.
Xhaxhai na pa me mosbesim. Ndoshta nuk e besonte se sipas planit tonë në mbrëmje duhej të ktheheshim në Korçë. Por ora shenjonte plot pesë pasdite. Pas disa hezitimesh dhe mospajtimesh mes nesh më në fund u vendos: po, do të qendrojmë në Lekas. Por deri sa të gjejmë pak qetësi e të prehemi nga lodhja duhet dhe mjaft mund. Deri sa të arrijmë në shtëpi duhet të bëjmë dhe 20 minuta më këmbë tatpjetë fshatit. I zoti i shtëpisë vazhdimisht thoshte ja arritëm, por shtëpia sikur na largohej. Mos po na gënjen ky, hapi sytë e çuditur një prej nesh, të skuadrës. Eni, eni, ia pat mikpritësi, se arritëm, edhe pak, ja shtëpia. Po ku e ke, mor aman, se mbaruam. Hë de, mos bëni kështu dhe ju. Ecnim nëpër baltë dhe më vinte për të qeshur duke parë çizmet trendy të blera për bulevardet e Tiranës tek zhyteshin deri në kërci në baltë. Më dukej vetja si në rolin e vjehrrës dhe nuses tek Përrallë nga e kaluara. Këmba më rrëshqiti duke tërhequr Anilën më keq si këmba e Marigosë. Kur mbërritëm në oborr, mu duk se kisha kaluar një Drin të madh.
Kjo është shtëpia e Xhelo Mahmutit, një shtëpi e bukur fshati. Dy vëllezërit kanë ndërtuar shtëpi me një oborr të përbashkët, të njëjtat në pamje e funksione. Gjithçka është krejt e rregullt dhe e pastër, ndanë çdo hyrjeje gjendet një çezmë, ku pikon ujë i maleve. Ejani brenda, na fton e zonja e shtëpisë. Kemi ardhur për pak, shpjegon Anila. Hyrni, hyrni njëherë brenda, pastaj flasim. Keni erdhur për pak, po mund të rrimë shumë. Ja me ti, ti solla dy çupat, i flet me gëzim Xhelo gruas. Hymë brenda dhe nxituam kush më parë drejt e tek soba e ngrohte. Ua, zjarr prej të vërteti! Unë sluaj që këndej! Kemi një ditë të tërë në udhëtim dhe më në fund jemi atje ku duhet. Kujdesi i Haxhiresë, që hynte e dilte nga dhoma për të shtuar zjarrin dhe gostitjet qenë prekëse. Ja, tani e sita miellin për lakror, më thotë, dhe shton me zemërmirësi: hë, të keqen unë ty, sa mirë e bëtë që ndenjët. Ndërsa Xhelo na sjell në tryezë rakinë e thanës, që e mburr me të drejtë para se të na e shërbejë, Haxhireja tëhollon petët aty në kënd dhe na shton në mes të saj djathra e ullinj.
Tani që e kemi vendosur të qe
