Vajzat dhe fëmijët në udhëkryq, në shtëpi kujdestare
Pakkush e di, por kësisoj shërbimesh nuk jepen vetëm në vendet perëndimore apo në shtetet me një demokraci super të zhvilluar.
Secili prej nesh mund t’i ketë parë në televizor ose mund të ketë dëgjuar kalimthi diku, se edhe në Shqipëri, ka familje kujdestare, persona që të bëhen prindër, gjyshër, motër e vëlla në një kohë të vështirë. Një shtatzëni e paplanifikuar, e padëshiruar, probleme ekonomike, sociale e gjithçka tjetër që mund të jetë problem në një kohë të vështirë, mund ta kthesh në forcë e të vazhdosh përpara. Ndihmë për të përballuar kujdesin shëndetësor, strehën për të qëndruar, për t’u ulur në tavolinë si në familje për të mbështetur kokën e për të qarë hallin, mund të ua japë një familje kujdestarie. Klinika “Bethany”, një qendër shërbimesh sociale, psikologjike, mjekësore për nënën, fëmijët dhe të rinjtë”, pjesë e koalicionit “Bashkë kundër Trafikimit të Fëmijëve” (BKTF) është administratorja e gjithë procesit të dhënies së ndihmës, për fëmijët jetimë, për ata që kanë probleme për të gjetur një familje, për vajzat që presin një fëmijë, për ato që ndjekin shkollën apo masterin, dhe kanë nevojë për një dado, gjyshe, të përkohshme. Kjo qendër jep po ashtu asistencë psikologjike dhe mjekësore në mënyrë të veçantë për gratë shtatzëna, duke dhënë kryesisht informacionin bazë për një rritje të shëndetshme të fëmijës dhe nënës.
“Qendra operon në Shqipëri që në vitin 1992, projektet kanë qenë të ndryshme, në bashkëpunim me organizata dhe sektorë të ndryshëm. Ofrojmë asistencë dhe ndihmë për gratë, vajzat, për shtatzënat dhe fëmijët”, sqaroi Milika Dhamo, eksperte pranë kësaj qendre. Sipas saj, shpesh problemet e vajzave apo edhe grave janë komplekse, por kryesisht asistenca që u jepet nënave të reja, grave shtatzëna apo edhe fëmijëve që marrin statusin e jetimit, është e vlefshme dhe ka rezultuar e suksesshme. Ndërsa vajza mund të ndjekë studimet apo shkollën, një familje mund të kujdeset për fëmijën e saj. “është për t’u përgëzuar dhe duhet thënë se raste të tilla gjejmë plot në vendin tonë, kur gra, nëna e persona të moshës së tretë, kërkojnë të ndihmojnë vajzat apo gratë që kanë probleme, fëmijët e tyre, duke u kujdesur me dëshirë dhe dashuri. Kemi parë rastet e personave të cilët kanë mundësi ekonomike dhe financiare dhe kërkojnë që të ndihmojnë edhe të tjerët”, sqaron specialistja Dhamo.
Projekti i vendosjes së nënave, vajzave, grave, fëmijëve në familje kujdestare, nuk është një proces pranë birësimit, apo heqjes së të drejtës për të qenë prind, gjysh, gjyshe natyrale, por klasifikohet si një ndihmë e përkohshme për të ndihmuar palët për t’u përgatitur më mirë, për të përballuar problemet në një kohë të caktuar dhe për të mos i bërë, femrat të heqin dorë, nga shkolla, punët, projektet, apo specializimet.
Ndihma është e përkohshme, deri në “pjekje” të kushteve dhe fitimin e kohës për të gjithë personat që ndodhen në udhëkryq, dhe kanë nevojë për një sup ku të mbështeten përkohësisht...
#