E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët e PS kërkojnë ndryshimin e sistemit elektoral

Propozimi Kodi Zgjedhor, partitë e vogla: Jo më reformë bipartizane

Unifikimi i partive opozitare pas zgjedhjeve të 28 qershorit duket se nuk e ka kaluar ende sfidën e vërtetë. Kur kanë mbetur vetëm pak muaj nga dekreti i Presidentit të Republikës për zgjedhjet lokale, aktorë të ndryshëm politikë kanë nisur të shtrojnë për diskutim nevojën e rishikimit të Kodit Zgjedhor. Brenda këtij kuadri ligjor, për të cilin është rënë dakord në parim që do të ndryshohet, sistemi zgjedhor po përvijohet sërish si pikë e mundshme e fërkimit e pse jo përçarjes. Duke iu referuar sidomos kohezionit të opozitës, çështja e sistemit përbën kështu një moment që do të vërtetojë atë se çfarë qëndron realisht pas bashkimit të vërejtur gjatë kohës së protestave.

Të vegjlit, apel për ndryshim

Edhe pse zgjedhjet lokale nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ndryshimin e sistemit, sërish ndërhyrjet e konsideruara të nevojshme në kuadrin e administrimit pritet të përfshihen në një korpus të vetëm me ato që adresojnë shqetësimet e zgjedhjeve politike. Kështu, vetëm dy ditë më parë, përfaqësuesi për çështjet zgjedhore në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Spartak Braho, bëri thirrje për mbledhjen e tryezës së partive politike për shqyrtimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Duke nënvizuar shqetësimin e LSI-së për sa i përket formulës aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që pasqyron një raport ndërparlamentar që nuk ekziston më, Braho ka shprehur gatishmërinë e plotë të partisë së tij edhe për ndërhyrjet në sistem. Këtij mesazhi i kanë dhënë përgjigje pozitive dy aleatë të Partisë Socialiste, kreu i Partisë Demokracia Sociale Paskal Milo dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Në një prononcim televiziv, të dy aleatët e selisë rozë kanë shprehur gatishmërinë për një “reformë jo vetëm mes dy partive kryesore”, duke shpalosur edhe thirrjen për rishikim thelbësor për sa i përket formulës që rregullon konvertimin e votës në përfaqësimin parlamentar. “Ne dëshirojmë të jemi pjesë e çdo tryeze për reformën zgjedhore, sepse dëshirojmë që reforma zgjedhore të jetë pjesë e diskutimit të gjerë dhe transparent dhe jo vetëm e diskutimit mes dy partive kryesore”, u shpreh dje Milo.

Opsionet për sistemin

Ajo që përbën thelbin e shqetësimeve të ngritura nga partitë e vogla për Kodin e ri Zgjedhor ka të bëjë me mënyrën sesi ky korpus rregullash juridikë do të bëjë transformimin e votave në karrige parlamentare. Opsioni më i pranuar nga të gjitha partitë e vogla, përfshi LSI-në, mbetet ose sistemi proporcional rajonal me korrektim kombëtar, ose një proporcional i pastër kombëtar. Sistemi aktual, proporcional rajonal i njohur ndryshe në Shqipëri edhe si sistemi spanjoll, solli në vitin 2009 një pastrim radikal të skenës politike parlamentare teksa partitë si PSD, PDS, PDK apo edhe PBDNJ, ose nuk arritën të merrnin asnjë vend në Kuvendin e Shqipërisë, ose arritën kuota minimale. Me anë të instalimit të “pragut të lëvizshëm” për çdo Zonë të Administrimit Zgjedhor, sistemi në fuqi i dha të drejtën e mbijetesës reale vetëm dy partive kryesore dhe në momentin e fundit edhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Teknikisht sistemi në fuqi jo vetëm prek partitë e vogla përmes asgjësimit të një pragu të njësuar në të gjitha ZAZ, por ai në finale rezultoi të linte pa përfaqësim një përqindje shumë të madhe votuesish. Këtu nuk duhet lënë pa përmendur edhe deformimi i përfaqësimit përmes një zhvlerësimi të votës në disa ZAZ apo mbivlerësimit absurd në disa të tjera me numër votuesish më të vegjël. Por sistemi duket të mos ketë arritur të paktën në raundin e parë të provës së tij as qëllimet politike që duket se e nxorën në skenë, stabilizimin e bipolaritetit partiak dhe me gjasë rregullimin e normalitetit qeverisës. Në këtë kuadër LSI-ja, si parti e tretë, edhe pse në zgrip të mbijetesës, u shfaq si çelës i qeverisjes duke u faktorizuar edhe njëherë përtej përmasës së vet elektorale.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›