Vajzat e Himarës, ndihmë për Safo Markon
Galeria Kombëtare e Arteve i është përgjigjur thirrjes për apel dhe fushatës sensibilizuese në ndihmë të familjes së shkrimtarit të madh Petro Marko. Duke marrë parasysh edhe profilin e kësaj galerie, kushtuar arteve pamore, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, drejtori Rubens Shima bën të ditur se ky institucion do të blejë një vepër, “Vajzat e Himarës”, të piktores Safo Marko.
Ndërkaq, sipas njoftimit të MTKRS-së, ministri Ferdinand Xhaferaj i vënë në dijeni me situatën e vështirë ekonomike të familjes Marko, në bashkëpunim me GKA-në, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, përzgjodhi dhe bleu për dy arsye të rëndësishme këtë pitkurë të Safo Markos. Së pari për pasurimin e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve me krijimtarinë e piktores të krijuar pas viteve `90 dhe arsyeja e dytë është ndihma e shtetit shqiptar, dhënë në formën e një kontributi financiar prej 300 mijë lekë të reja për blerjen e pikturës së saj. “Nga fondi i pakët që na jepet për çdo vit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për blerjen e veprave të artit, e pamë të arsyeshme që të blinim një vepër të piktores Safo Marko. Ishte kjo një mënyrë për t’i ardhur në ndihmë kësaj familjeje me vlera të jashtëzakonshme në artin dhe kulturën shqiptare, një farë ndihme për gjendjen e keqe ekonomike në të cilën ndodhen. Pasi takova Arianitën, vajzën e Safo Markos dhe pasi biseduam kemi zgjedhur një vepër dhe jemi ende në plotësimin e formularëve të të drejtave të autorit dhe regjistrimit të veprës”, tha për gazetën “Shqip” Rubens Shima, drejtori i Galerisë së Arteve. “Mendoj se ishte rasti që edhe ne të kishim një Safo Marko, por edhe të asistonim në këtë situatë. Kaq mund të bënte Galeria. Më vjen keq që kjo fushatë sensibilizimi nuk pati reagimet e duhura”, u shpreh më tej ai. Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës u bë e ditur se në gjashtëmujorin e dytë të vitit pritet të jepet një kontribut i dytë për familjen e Petro Markos në ndihmë ndaj gjendjes së vështirë në të cilën ndodhen. Ende nuk është menduar nga ana e tyre se në ç’formë do të jepet ky kontribut për familjen Marko.
#