Elbasan, protestë për ndihmën ekonomike
Rreth 300 familje të shtatë fshatrave të Komunës së Shirgjanit kanë protestuar para derës së Prefekturës së Elbasanit. Arsyeja e vetme, sepse prej tre muajsh nuk u jepet ndihma ekonomike. Protestat e tyre paqësore kanë bërë që për disa orë të qëndrojnë në hyrjen e institucionit të prefektit të Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi. Sipas pjesëmarrësve, shkak i zhvillimit të kësaj proteste ka qenë ndërprerja e ndihmës ekonomike për familjet që e përfitojnë atë sipas ligjit. Sipas kreut të Komunës së Shirgjanit, Mustafa Shehu, nga ana e shërbimit social shtetëror është vendosur si kusht që aplikuesit për ndihmë ekonomike të paraqesin me dokumentacionin edhe tapinë e tokës.
Mësohet se në këtë komunë ende 69 familje nuk janë pajisur me këtë dokument dhe kjo është bërë pengesë ligjore për shpërndarjen e ndihmës ekonomike edhe për më tepër se 250 familje të tjera, të cilat e kanë të rregullt dokumentacionin. Në Qarkun e Elbasanit janë aktualisht edhe tri komuna të tjera, ku familjet, që kanë përfituar tokë në bazë të ligjit 7501, nuk i kanë ende tapitë e tokës, edhe pse Zyra e Regjistrimit të Pasurive e konfirmon se po punohet për pajisen e tyre me tapi dhe gjithçka është në proces.
Drita çerri, shefja e financës pranë Komunës së Shirgjanit, ka shpjeguar situatën e krijuar me ndryshimin e ligjit për ndihmën ekonomike. Këshilli i komunës ka marrë vendimin për familjet që përfitojnë ndihmën ekonomike, të cilin e ka konfirmuar edhe prefekti dhe tashmë zgjidhja mbetet te plotësimi i dokumentacionit ligjor, që aplikuesit nuk kanë mundësi pagese për të.
#