E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vakia e Lecit

Liridon Leci e ka përshkuar një periudhë të çuditshme në Kalmar. Mbrojtësi kosovar nuk ka debutuar ende në ndeshje zyrtare, përkundër faktit se është pjesë e ekipit suedez qe një vit e gjysmë. Në fillim, atë e përshkuan lëndimet, ndërsa këtë sezon nuk i besoi trajneri. Për këtë, futbollistit prishtinas i ka humbur durimi. Ai dëshiron të largohet nga Kalmari, derisa interesimi për të nuk mungon.

Pritja e Liridon Lecit ka marrë fund. Mbrojtësi kosovar ka qëndruar një vit e gjysmë në Kalmar, pa zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare. Fillimisht, atë e përshkuan lëndimet, por këtë vit ishte i aftë 100 për qind për të luajtur, por atij nuk iu dha rasti asnjëherë.

Ish-futbollisti i Prishtinës është zhvendosur në ekipin e dytë, me të cilin zhvillon ndeshje kampionale. Por, kjo nuk ishte ajo që priste përfaqësuesi kosovar, në aventurën e tij më elitën e futbollit suedez.

“Kur shkova në Suedi, në fazën përgatitore në Spanjë isha në formë dhe po luaja në formacionin bazë. Mirëpo, më pas u lëndova dhe mbeta jashtë fushës për 7 muaj. Sezoni i kaluar më shkoi huq, sepse lëndimet nuk më lanë rehat asnjëherë. Por, nga janari i këtij viti, jam i aftë për të luajtur, por nuk më jepet rasti. Kam biseduar me trajnerin, i cili më ka thënë se 96 për qind je pjesë e ekipit, por gjërat nuk po shkojnë ashtu”, deklaroi Leci për Express.

I lodhur nga pritja, prishtinasi po kërkon një eksperiencë të re. Ai ua ka treguar qëndrimin e tij drejtuesve të klubit, të cilët po kërkojnë një ambient të ri. Mirëpo, udhëheqësit e klubit nga elita e futbollit suedez dëshirojnë ta huazojnë Lecin, deri në fund të sezonit.

Interesim konkret për futbollistin kosovar që luajti edhe në Shqipëri, ka shfaqur ekipi Jonkoping, që garon në Superettan (liga e dytë suedeze), por është edhe një ekip tjetër nga kjo ligë që po e kërkon. Drejtuesit e Kalmarit i kanë thënë Liridonit që të presë deri në fundjavë, sepse ka gjasa që të shfaqet edhe ndonjë ekip nga Allsvenskan (liga e parë suedeze).

“Unë kam kërkuar të largohem, sepse në Kalmar nuk po më jepet rasti. Dua të shkoj në një ekip ku mund të luaj rregullisht. Kam biseduar me drejtorin e klubit dhe më ka thënë se deri në fundjavë do ta bëjë një zgjidhje. Kalmari dëshiron të më huazojë deri në fund të sezonit. Interesim për mua ka shfaqur Jönköpingu, por edhe një klub tjetër”, ka shtuar Leci, i cili ka kontratë edhe një vit e gjysmë me Kalmarin.

Siç njofton vetë futbollisti, Jonkopingu e do atë për një periudhë afatgjate, por kontrata që e ka me Kalmarin mund ta pengojë një gjë të tillë. Sido që të jetë, e ardhmja e Lecit do të zbardhet në fundjavë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›