E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vaksina antigrip, mjeku Canaj: Rekomandohet veçanërisht për të moshuarit

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Me afrimin e stinës së vjeshtës dhe uljen e temperaturave, rritet qarkullimi i virozave stinore. Më të rrezikuarit për t’u prekur nga gripi janë moshat pediatrike, gratë shtatzëna, por sidomos të moshuarit dhe personat mbi 65 vjeç me sëmundje kronike bashkëshoqëruese.

Ministrja në detyrë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale, mesazhin e mjekut të familjes Kremantin Canaj, i cili shprehet se vaksina antigrip është e këshillueshme veçanërisht për grup-moshat më të prekura që janë mbi 65 vjeç dhe individë që vuajnë nga sëmundje kronike bashkëshoqëruese.

Mjeku Canaj tha se grup-moshat e mëdha, kanë sisteme imunitare në rënie dhe të ndjeshme, ndaj është e rëndësishme që të vaksinohen kundër gripit.

“Ne si mjekë rekomandojmë kryerjen e vaksinës stinore, në mënyrë që këta individë të shmangin komplikacionet virale për ata që vuajnë nga sëmundje kronike, por edhe për personat që nuk vuajnë por për shkak të moshës, rekomandohet vaksinimi”, vijoi Canaj.

Vaksinimi kundër gripit nis më 22 shtator, ndërsa MSHMS ka siguruar 280 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal, të cilat janë shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit.

Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ofron për të gjithë qytetarët mundësinë e zgjedhjes së vendit dhe kohës së vaksinimit, përmes platformës “e-Albania”.

/e.i//r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›