E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina falas për kategoritë në nevojë

20/01/2009  Hyn për herë të parë vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës.

Sëmundjet kanceroze në vendin tonë po përhapen gjithnjë e më shumë, veçanërisht te femrat, sidomos kanceri i qafës së mitrës. Ky fakt shqetësues sipas specialistëve të shëndetësisë vjen në masë nga mungesa e depistimit të sëmundjes që në fazat e para të shfaqjes, kohë në të cilën është lehtësisht më e kurueshme. Pjesa dërrmuese e pacienteve mbartëse të kësaj sëmundje e zbulojnë atë në faza të rënduara, ku dhe ndërhyrja e mëparshme trajtuese bëhet shumë e vështirë, kjo veçanërisht për llojet e kancerit që prekin qafën e mitrës. Përkundrejt kësaj sëmundje për herë të parë edhe në vendin tonë do të mundësohet vaksina kuruese, e cila për disa kategori do të jepet falas. Ministria e Shëndetësisë Anila Godo ka pohuar se kjo vaksinë në një fazë tjetër do të synohet që të bëhet pjesë e kalendarit kombëtar të vaksinave.

Situata

Në Shqipëri ky lloj kanceri ka një incidencë mesatare prej 4.1 të prekur për 100 000 banorë. Ndërkohë që përbën 51.2 për qind të rasteve me tumore malinje që prekin aparatin gjenital femëror. Në mbarë botën çdo dy minuta një grua vdes nga kanceri i qafës së mitrës. Specialistët e fushës pohojnë se vihet re një tendencë e dyfishimit të të prekurave nga kjo sëmundje. Ndërkohë thuhet se shumë problematik mbetet fakti që shumica e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara të sëmundjes, të tretin ose të katërtin, ku rreziku për jetën është jashtëzakonisht i madh. “Ende kemi një nivel shumë të ulët të PAP-testit, ku vetëm një përqindje e vogël e grave shprehin interes. Sistemi ynë shëndetësor ka mungesat e veta e duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë, jemi sot këtu për të shprehur gatishmërinë tonë në përmirësimin e vazhdueshëm të këtij sistemi, duke ftuar femrat shqiptare në përdorimin e shërbimeve të depistimit, në mënyrë që të rritim presionin mbi sistemin dhe përgjegjësinë tonë, për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më me cilësi kësaj kërkese”, - ka pohuar ministria Godo.

Vaksina

Në javën evropiane të luftës kundër kancerit të qafës së mitrës, sapo ka hyrë në treg vaksina e parë kundër kancerit të qafës së mitrës, e cila zhvillohet në tri faza. Momenti aktual (zero) pas një muaji dhe pas 6 muajsh. Një sasi dozash, firma “Glakso Smith Kline”, në bashkëpunim me MSH, do t’i shpërndajë falas një grupi të përzgjedhur femrash në nevojë. Specialistët vlerësojnë se dalja e vaksinës për mbrojtjen nga kjo sëmundje krijon mundësi shumë të fuqishme për të shpëtuar jetët e femrave. Parandalimi nëpërmjet vaksinimit dhe kryerjes së depistimeve (PAP-testit) periodike, reduktojnë riskun e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës deri në 94 %. Gjithashtu ministrja Godo theksoi se në strategjinë e re të vaksinimit në Shqipëri është parashikuar që pas pak vjetësh të merret seriozisht në konsideratë përfshirja e vaksinës së re HPV-it (virusit të papilomës humane), në programin kombëtar të vaksinimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›