E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e euros, Bode: Tronditja, nga presioni i segmenteve të opozitës



Ministri i Financave, Ridvan Bode, akuzoi segmente të opozitës se kanë hedhur në opinionin publik propagandë negative, duke krijuar një presion psikologjik tek shqiptarët për ekonominë vendase. Rritja e monedhës së euros në raport me lekun, sipas Bodes, nuk ka prekur ekonominë. Ai shtoi se propaganda e opozitës ka pasur si qellim disbalancimin e kursit të këmbimit. “Zhvillimet në tregun financiar shqiptar janë zhvillime pozitive. Tronditja erdhi nga presioni psikologjik nga segmente të opozitës për një kohë shumë të gjatë ndaj sistemit bankar dhe që vazhdojnë dhe në ditët e sotme. Ditën e sotme ka një intensifikim të kësaj propagande për të disbalancuar kursin e këmbimit në vendin tonë”, - tha Bode. Deklarata e ministrit u bë në Kuvend, ku u miratua edhe rishikimi i Buxhetit të Shtetit për vitin 2009. Duke qëndruar tek e njëjta temë, Bode tha se tentativat e opozitës për panik kanë ndodhur edhe më parë, që në fillim të vitit depozitat ranë në banka për shkak të deklaratave të ardhura nga PS-ja e drejtuar nga Edi Rama. “Ne jemi të vetëdijshëm që për shkak të alarmeve të rreme të opozitës, si ky i fundit, na ra niveli i depozitave në fund të vitit të kaluar”, - akuzoi më tej ministri i Financave.

Duke qëndruar në të njëjtën temë, Bode siguroi se forcimi i euros nuk do të sjellë pasoja negative. Ai tha se euroja është forcuar, por leku nuk është zhvlerësuar. “Leku dëshmoi stabilitet. Vetëm një zhvlerësim prej 8% që nuk është zhvlerësim i lekut, por që është mbivlerësim i euros. Në qoftë se bëjmë krahasimin me monedhat e tjera të forta të vendeve të tjera, vërtetohet kjo tendencë që ka një mbivlerësim të euros”, - tha Bode, duke shtuar se është abuzuar me deklaratën e Kryeministrit për zëvendësimin e monedhës me euron. “Ditët e fundit ky presion psikologjik mbi konsumatorin dhe qytetarët është ndërmarrë edhe për t’iu kundërvënë apo duke abuzuar me një deklaratë të Kryeministrit se Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit bëjnë mirë të adoptojnë euron si monedhë të vendeve të tyre. Ky është një proces i gjatë, që ka të bëjë me përpjekjet që bën Shqipëria dhe vende të tjera për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Sigurisht, kur të jemi pjesë e Evropës, do të marrim edhe monedhën evropiane. Tashmë ne jemi një vend aspirant. Do të jemi shpejt një vend kandidat, por procesi i zëvendësimit të monedhës sonë kombëtare, lekut, me euron do të jetë shumë i gjatë”, - tha Bode. Në fund të fjalës së tij, Bode kërkoi që konsumatorët të besojnë tek leku dhe të mos i besojnë propagandës ardhur nga disa qarqe politike. “Prandaj, unë jam i bindur që përpjekjet e atyre që kërkojnë të përfitojnë nga deklaratat dhe që të mos të përfitojnë nga mosnjohja e proceseve të konvertimit dhe të integrimit të Shqipërisë në Eurozonë, të mund të destabilizojnë, qoftë edhe momentalisht, tregun, çka do të jetë, sigurisht, një kosto shtesë që do ta paguajnë ata që do të bëhen pre e mashtrimit momental të propagandës që bëhet nga qarqe të caktuara që nuk kanë të bëjnë më interesat tona kombëtare”, - deklaroi më tej ai.

Kuvendi miraton rishikimin e Buxhetit 2009

Kuvendi miratoi dje në parim rishikimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2009. Sipas këtij rishikimi, pritet që shpenzimet kapitale të shkojnë në 8,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, investimet për infrastrukturën rrugore parashikohen të rriten rreth 15, 5 miliardë lekë si dhe deficiti buxhetor parashikohet të jetë 6,4% e PBB-së, ndërsa huamarrja parashikohet të jetë 1,4% më e vogël se në 2008-n. Buxheti u miratua me 72 vota pro dhe 1 kundër, atë të deputetit Dule. Opozita mungoi në këtë seancë. “Ne vijmë përpara jush me këtë ndryshim të buxhetit të vitit 2009 dhe në detaje unë do t’ju thosha se vlera totale që ne rialokojmë në mbështetje të shpenzimeve të vitit 2009, nuk është 17 miliardë, aq sa ç’është rritja në vlerë nominale e Buxhetit të Shtetit, por është 28 miliardë lekë të reja, pasi ne kemi rialokuar 8,5 miliardë lekë nga investimet publike, të cilat kanë qenë ende të paprokuruara në një sërë institucionesh, ende të paprojektuara si duhet në një sërë përdoruesish të buxhetit, duke i dhënë mundësi që këto fonde të shpenzohen aty ku veprat e mëdha projektohen e progresohen çdo ditë dhe që mbështesin zhvillimet në ekonominë reale”, - tha Bode në Kuvend.

Rritja ekonomike, Bode: Do të jetë 5%

Ministri i Financave deklaroi në Kuvend se rritja ekonomike e këtij viti do të jetë në masën 5 për qind, çka e bën vendin tonë me rritjen më të lartë në botë. Ndryshe nga vlerësimet e FMN-së, që llogarit vetëm 0.4 për qind rritje për vitin 2009, Bode tha se ky vit do të ketë rritje më të lartë. “Na u tha se do të jetë rritja ekonomike 0%, na u tha se do të jetë minus 2 dhe minus 3%, na u tha se do të jemi në të njëjtin nivel me vendet e rajonit, tremujori i parë dëshmoi një rritje prej 6% dhe ne jemi të sigurt se rritja ekonomike gjatë vitit 2009 do të jetë rreth 5% dhe do të jetë rritja më e madhe ekonomike në të gjithë kontinentin evropian dhe më gjerë”, - tha Bode. Ministri foli edhe për paratë e privatizimeve, ku një pjesë e tyre do të shkojë për ish-të përndjekurit. “Janë të ardhurat nga kompania ARMO, që u privatizua vitin e kaluar dhe që ne i mbartëm me shumë të drejtë në këtë vit, që do të ishte viti i presionit të krizës prej 9,8 miliardë lekësh, janë të ardhurat nga OSSH-ja prej 11,7 miliardë lekësh, të cilat do të përdoren edhe për financimin me 1 miliard lekë të reja (10 milionë dollarë) për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë”, - tha më tej Bode.

Olldashi: Realizuam të gjitha investimet

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, deklaroi dje në Kuvend se është realizuar objektivi i investimeve për vitin 2009. "Jemi gati në limitin e realizmit vjetor, ndaj dhe shtesa prej 12 miliardë lekësh është një zgjidhje efektive", - tha Olldashi, duke shtuar se deri tani realizmi faktik i planit është mbi 100% të fondeve të çelura nga buxheti, nga të cilat të likuiduara financiarisht janë gati 95 për qind. Për sa i përket rishikimit të buxhetit ai tha se është një frymëmarrje shumë e rëndësishme për investimet në infrastrukturë, kryesisht në atë rrugore, por edhe në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve ku do të rialokohet një pjesë e fondeve. "Ky është një zhvillim pozitiv për infrastrukturën rrugore, për shkak se ecuritë e realizimit në këta tetë muaj të parë të vitit janë përtej pritshmërive dhe kjo, për disa faktorë, si mobilizimi më i mirë i kontraktorëve, por edhe të një kuadri administrativ e ligjor të përmirësuar këtë vit, duke rezultuar shumë stimulues në vijimin e punimeve", - tha Olldashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›