E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksinimi i bagetive kunder brucelozes i suksesshem

Vaksinimi i bagëtive kundër brucelozës në rang vendi ka rezultuar i suksesshëm. Në fushatën Kombëtare të vaksinimit kundër brucelozës, profesorë të Fakultetit të Veterinarisë, ekspertë të projektit PAZA dhe të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare kanë vizituar ferma të ndryshme në vend, ku dhe kanë marrë kampione gjaku të cilat nëpërmjet mjeteve që plotësojnë kushtet frigoriferike dhe sanitare transportohen për në laborator. Sipas këtyre ekspertëve rezultatet paraprake të analizave kanë treguar se vaksina ka patur një efektshmëri të lartë mbrojtëse. “Arsyeja e kryerjes së këtij monitorimi post vaksinal është të tregojë zbatimin korrekt të vaksinimit nga veterinerët në terren. Deri më tani është kryer rreth 80 % e punës së parashikuar, dhe rezultatet kanë qenë të kënaqshme. Fushata e vaksinimit, monitorimi e më pas efikasiteti është vlerësuar edhe nga strukturat lokale, ku sipas tyre të gjithë fermerët kanë treguar interesin e tyre për të siguruar shëndetin e kafshëve dhe të familjeve të tyre. Vaksinimi i bagëtive kundër brucelozës është bërë falas në të gjitha zonat e vendit. Fushata Kombëtare e Vaksinimit “Një pikë në sy” financohet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Shqiptare, konkretisht me rreth 5.7 milionë euro dhe 1.8 milionë euro nga buxheti i shtetit. Në këtë nismë kombëtare janë angazhuar 750 veterinerë në të gjithë vendin. Rreth 2.5 milionë krerë bagëti janë vaksinuar përgjatë këtyre ditëve dhe në mbyllje të këtij procesi madhor kombëtar synohet pasja në kontroll të plotë e shëndetit të kafshëve dhe i rreth 85 mijë fermerëve dhe personave që kanë kontakte të drejtpërdrejta me bagëtitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›