E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valencia-Real Madrid 2-3 ekipi i Murinjos kaloi nje prove te veshtire

Një tjetër pengesë e vështirë që u kapërcye, një ndeshje në fushën thuajse të pakapërcyeshme të Valencias me një përfundon që lejon vazhdimin e kryesimit në kampionatin spanjoll.

Reali i Madridit nuk u ndal as në “Mestaja”, ndonëse ishte larg shtëpisë së ngrohtë të tij, larg “Bernabeut”, duke arritur një fitore aspak të lehtë, por në një ndeshje që e kryesoi nga fillimi deri në fund.

Pasi shënoi golin e parë me dinakëri, ku autor ishte Karim Benzema dhe ndërtues Shabi Alonso, skuadra e Murinjos u tregua e zonja për të përballuar presionin vendas në pjesën e parë dhe për të goditur për së dyti, pas pushimit.

Sërish një goditje standarde, këtë herë goditje nga këndi, pas të cilës Segio Ramos u ngrit fuqishëm në ajër dhe shënoi me kokë një gol shumë të bukur. Pra, 2-0 për miqtë nga Madridi, por asgjë nuk kishte përfunduar.

Një ish-madrilen, si sulmuesi Soldado ishte fajtori për vuajtjet e Realit, pasi shënoi menjëherë një gol të bukur që ngushtoi diferencën në 2-1. Gjithçka erdhi pas një këmbënguljeje të madhe të Valencias që nuk deshi të dorëzohej pa luftë.

Kristiano Ronaldo i shtoi një gol skuadrës, por edhe vetvetes, duke rikthyer qetësinë për kryesuesit e kampionatit dhe duke vazhduar duelin në distancë me Lionel Mesin për titullin e shënuesit më të mirë të kampionatit.

Roberto Soldado goditi edhe një herë, duke u treguar më i vëmendshëm se mbrojtësit miq, por koha ishte e pamjaftueshme për të arritur barazimin, edhe pse në sekondat e fundit, Valencia I pati të gjitha mundësitë për të marrë të paktën një pikë.

Nuk ia arriti dhe Reali mbetet në kryesim me 31 pikë, 3 më shumë se Barcelona.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›