E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valle tropojane për festën e Alfabetit

Historia e 36 shkronjave autoktone ka luajtur rolin vendimtar në traditën shqiptare. Alfabeti i gjuhës shqipe pas pak ditësh përmbush përvjetorin e 100-të në Kongresin e Manastirit, e në vigjilje të kësaj ngjarjeje historike institucionet publike po ndjekin axhendën qeveritare të organizimit të aktiviteteve kulturore. Duke filluar nga mbrëmja e sotme, Teatri i Operës dhe Baletit organizon një koncert në bashkëpunim me artistët e Ansamblit i Këngëve dhe Valleve Popullore. Nën kujdesin e drejtoreshës artistike të këtij institucioni, Lejla Agolli, cikli i hollit koncertor për artistët e rinj i mbështetur në një repertor të larmishëm muzikor zhvillon koncertin “Dy mbrëmje muzikore në dispozicion të solistëve dhe ansamblit që provojnë skenën”. “Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në bashkëpunim me Ansamblin Popullor të Valleve Popullore organizojnë një koncert hollë nga “Gurra jonë popullore”. Ky koncert është një eveniment tepër i rëndësishëm pasi zhvillohet në vigjilje të disa prej ngjarjeve më të rëndësishme historike për vendin tonë, siç janë 100-vjetori i Kongresit të Manastirit, festa e 28 nëntorit”, - është shprehur drejtuesja artistike Lejla Agolli. Ajo shpjegon se bëhet fjalë për një koncert simbolik mes TKOB dhe AKVP-së të përpiluar në bazë të një repertori të zgjedhur të valleve popullore dhe numrave vokal. Agolli tregon se ky është një koncert me një peshë të madhe artistike me rastin e kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme për traditën shqiptare. “Këtë koncert e konsideroj shumë të rëndësishëm, për faktin se Kongresi i Manastirit ka shënuar një nga evenimentet që ka lënë gjurmë në historinë e gjuhës dhe kombit shqiptare”, - thotë ajo. Sipas saj, aktiviteti do të shtrihet në disa nga vallet më të njohura si “Valle e Tropojës” nga grupi i vajzave, “Valle e Shupalit” nga G. Alimehmeti, G. Kastrati, E. Bajo etj., si dhe këngë të ndryshme të interpretuara nga trupa e ansamblit si “Rreth Shkodrës jam sjellë”, “Në këtë stine të bukur” kënduar nga Sabahete Vishnja, “Dasma e malësorit” nga Aleksandër Rrapi etj. Por, të veçantën e këtij koncerti ajo dallon një valle të Kosovës, apo numrat vokalë të gjashtë djemve, të cilët para pak kohësh janë kthyer nga një aktivitet artistik të suksesshëm në Marjesë të Francës.

Ndërkohë, Agolli bën të ditur se ky koncert nuk do të mbyllet vetëm gjatë kësaj mbrëmjeje, por skena do të jetë në dispozicionin e tyre edhe të shtunën me një repertor edhe më të zgjeruar artistik në Teatrin e Operës.

Të gjitha strukturat e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit janë angazhuar për të dhënë një kontribut të veçantë në këtë ngjarje të shënuar. Ndërkohë që edhe udhëheqësi artistik i grupit polifonik të Ansamblit Popullor, Gramoz Burba, i cili bashkë me grupin vokal do të interpretojë disa këngë të trevave të veriut, të Shqipërisë së mesme dhe këngë polifonike tregon se ka punuar për t’u paraqitur në mënyrë sa më dinjitoze në këtë festë të madhe historike.

“Jemi përpjekur që të sjellim dy numra, që janë me të vërtetë përfaqësues të polifonisë, duke bërë detyrën e artistit në radhë të parë, por edhe për ta bërë këtë polifoni të prekshme për përvjetorin e madh”, - shprehet Gramoz Burba. Ai e konsideron këtë event si një iniciativë pozitive për të kremtuar ngjarje të tillë historike. “Më vjen mirë që këto ngjarje historike kujtohen, sidomos me anë të aktiviteteve koncertore. Ne jemi një popull me një histori të pasur ku shumë nga këto ngjarje kanë kristalizuar identitetin tonë shqiptar. Për këtë unë do të dëshirojë që të organizohen sa më shumë aktivitete kulturorë, për të respektuar në këtë mënyrë çdo njërën prej tyre denjësisht”, - thotë Burga.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›