E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nderimet e fundit ndaj tre viktimave të tragjedisë

Tre viktimat e tragjedisë së Gjirokastrës që humbën jetën pas shembjes së pallatit 5-katësh u përcollën ditën e djeshme në banesën e fundit. Si rezultat i ngjarjes së rëndë nuk arritën që të mbijetonin dy pjesëtaret e familjes Dalani, 38-vjeçarja Valbona dhe vajza e saj, Anxhela, si dhe 68-vjeçarja Parashqevi Zoto. Trupat e tyre u nxorën rreth paradites së ditës së hënë. Me dhimbjen e të afërmve të tyre është bashkuar jo vetëm populli i Gjirokastrës, por edhe kalimtarë të rastit, të cilët kanë ndaluar në rrënojat e pallatit buzë autostradës dhe kanë vendosur tufa me lule e kanë ndezur qirinj në kujtim të tyre.

Parashqevi Zoto, 68 vjeç, është varrosur paraditen e ditës së djeshme nga familjarët e saj. Arkivoli i të ndjerës është marrë direkt nga spitali dhe është dërguar në varrezat e qytetit, e shoqëruar nga qindra njerëz.

Ndërkohë në pasditen e djeshme u është dhënë lamtumira e fundit edhe dy viktimave të tjera të tragjedisë, nënë e bijë, Valbona dhe Anxhela Dalani, 38 dhe 12 vjeç. Gjysma e familjes Dalani nuk arriti që të mbijetonte pas shembjes së pallatit, ndërsa dy pjesëtarët e tjerë, babai dhe djali 7-vjeçar, mundën t’i shpëtonin vdekjes.

Pasi u arrit që të nxirreshin nga gërmadhat, të tre viktimat janë transportuar në morgun e qytetit, ku i janë nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore.

Sipas saj, ato nuk kanë arritur që të mbijetojnë, si pasojë e goditjeve dhe asfiksisë nën rrënoja. Për 68-vjeçaren, goditjet e marra në kokë dhe trup nga pjesët e shembura të pallatit kanë qenë fatale. Ndërsa për 35-vjeçaren dhe vajzën e saj, goditjet e marra dhe asfiksimi nën rrënoja kanë qenë shkaktarët e humbjes së jetës. Të tre trupat u arritën që të nxirreshin nga rrënojat vetëm pas 26 orë kërkimesh dhe pune nga ekspertët. E para që u arrit të gjendej ishte 68-vjeçarja, ndërsa nëna dhe vajza e saj u nxorën pas dy orësh. Për nxjerrjen e tyre u angazhuan forcat xheniere, si dhe ekspertë të ardhur nga Janina. Pas zhvillimit të riteve mortore, të tre viktimat janë përcjellë nga familjarët e tyre për në banesën e fundit.

Gjirokastritët, protesta për dorëheqjen e kreut të bashkisë

Protestuesit u mblodhën përpara bashkisë së qytetit dhe kërkuan largimin e kryetarit Bime

Banorë të Gjirokastrës kanë protestuar pas tragjedisë së ndodhur, ku humbën jetën tre persona dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të bashkisë së qytetit, Flamur Bime. Ditën e djeshme ata janë mbledhur para bashkisë, ku kanë shprehur revoltën e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë të së dielës, ku u rrëzua një pallat 5-katësh. Kjo, si pasojë e mosrespektimit të rregullave të ndërtimit. Për protestuesit duhet të ishin marrë masa nga ana e bashkisë dhe të mos lejohej që të bëhej një shkelje e tillë, e cila çoi në vdekjen e tre personave. Sipas hetimeve paraprake, shkak për ndodhjen e tragjedisë ishte rrëshqitja e dheut, e cila ka ardhur si pasojë e hapjes së themeleve, për një tjetër pallat ngjitur me 5-katëshin e shembur. Pikërisht këto punime bënë që të krijoheshin çarje në ndërtesë, të cilat çuan në shembjen e tij. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës ka deklaruar se ai ka vepruar në bazë të ligjit dhe se nuk do të japë dorëheqjen. “Unë kam vepruar në bazë të rregullave dhe ligjit shqiptar. Unë kam vepruar në rregull dhe nuk do të jap dorëheqjen. Ftoj prokurorinë që të hetojë punën time”, - u shpreh Bime. Megjithatë, duket se për protestuesit numri një i bashkisë nuk është i pafajshëm dhe se ai duhet të kishte vepruar për të shmangur tragjedinë. Ndërkohë pallati pesëkatësh, i shembur pjesërisht tri ditë më parë në qytetin e Gjirokastrës, duke shkaktuar tre viktima, filloi të rrëzohet tërësisht rreth orës 15:30 të ditës së djeshme. Ekipi i emergjencave vendosi që të shembte pallatin, pasi ky shfaqte rrezikshmëri për banorët e tjerë të zonës. Shembja e ndërtesës po kryhet me një ekskavator me një bisht të gjatë prej 50 metër. Në vendngjarje ishin edhe forcat e policisë, ndërkohë që banorët e pallatit u mbajtën larg zonës ku ndodhet pallati. Banorët kanë kërkuar që të paktën të shpëtonin objektet e tyre personale që kishin vlerë për ta, por një gjë e tillë nuk është lejuar nga ana e autoriteteve shtetërore. Dhe kjo për shkak se ndërtesa nuk është e sigurt dhe se mund të rrezikonte të shembej nga momenti në moment. Në fund është arritur që të rrëzohet pallati 5-katësh, nga ku pas shembjes së tij humbën jetën 3 persona.

Bime

“Unë kam vepruar në bazë të rregullave dhe ligjit shqiptar. Unë kam vepruar në rregull dhe nuk do të jap dorëheqjen. Ftoj prokurorinë që të hetojë punën time”

Detaje

9 persona janë arrestuar nga policia, të konsideruar si përgjegjës për shembjen e pallatit

1 person është ende në kërkim nga agjentët, të cilët po kërkojnë në të gjithë territorin

3 punonjës të bashkisë janë arrestuar nga policia, të cilët akuzohen për shpërdorim të detyrës

6 punonjës të firmës “Arti” sh.p.k. janë vënë në pranga nga ana e uniformave blu

20 familje kanë mbetur të pastreha si pasojë e rrëzimit të ndërtesës 5-katëshe në Gjirokastër

3 persona humbën jetën mëngjesin e së dielës, kur nga shkarja e dheut, u shemb ndërtesa

15 të plagosur u paraqitën në spitalin e Gjirokastrës, pas tragjedisë së ndodhur në qytet

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›