E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vallëzim në kohën e kampeve

Botohet kapitulli i fundit i romanit “Kolovajza e frymëmarrjes” i Herta Müller, i cili pas publikimit në vitin 2009 në Gjermani, ka dalë dje në tregjet letrare italiane nga shtëpia botuese Fletrinelli. Fituesja e çmimit “Nobel” për letërsinë, vjen me këtë roman të ri të ambientuar në vitin 1945 Herta Müller: “Ajo çka mbetet prej lumturisë”

Thesare të vegjël janë ata në të cilët është shkruar: Këtu unë jam. Thesare më të mëdhenj janë ata në të cilët është shkruar: Kujto akoma. Por thesaret më të bukur janë ata ku do të shkruhet: Atje isha.

ATJE ISHA duhet të shkruhet tek thesaret, thoshte Tur Prikulitsch. Laringu më shkonte lartë e poshtë nën mjekër, sikur të kisha gëlltitur bërrylin tim. Berberi më tha: Ndërkaq jemi ende këtu, pesa vjen pas nëntës.

Atëkohë, në dhomën e berberit, besoja akoma se nëse nuk do të kishim vdekur këtu, do të kishte ndodhur më vonë, në një pastaj. Jemi sërish jashtë kampeve, të lirë, ndoshta edhe në shtëpi. Atëherë mund të thuhet: ATJE ISHA. Por pesë vjen pas nëntës, patëm pak “balamuc”, ndryshe një lumturi e hutuar apo e çoroditur dhe duhet thënë edhe ku dhe si. Dhe sepse asnjëherë një si Tur Pirkulitsch duhej të pohonte spontanisht në vazhdim, në shtëpi, se ai nuk kishte aspak nevojë për lumturinë. Ndoshta që atëherë dikush nga kampi kishte vendosur të vriste Tur Priklutisch, pas dënimit. Një që përçarte së bashku me engjëllin e urisë ndërsa Tur Pritkulitsch vendoste këpucët përgjatë kampit sikur të ishin kova boje. Në kohën e “kockë e lëkurë” ndoshta dikush gjatë apelit ose në burg, është ushtruar pafundësisht me mendje si të çante më dysh ballin e Tur Prikulitsch. Ose ndoshta ai dikush ishte atëherë i varrosur deri në grykë në borën e shpërndarë prej erës, përgjatë hekurudhës, i zhytur në karbon deri në fyt, ose në rërën e kar’er ose në kullën e betonit. Ose kur është betuar hakmarrje, ka qenë i shtrirë i pagjumë, në një shtrat, nën dritën e verdhë të barakës. Ndoshta ka projektuar vrasjen të njëjtën ditë gjatë së cilës me një vështrim të ëmbël, Tur foli për thesaret. Ose në momentin në të cilin Tur më pyeti hapur: Atëherë, si shkojnë punët tek ju në kantinë. Ose ndoshta ndodhi në të njëjtin çast kur unë u përgjigja: Mirë, çdo turn është një vepër arti. Me shumë mundësi edhe një vrasje me kravatën në gojë dhe sëpatën në bark, është një vepër arti e mëvonshme.

Di ndërkohë, që në thesaret e mi është shkruar: ATY DO Të QëNDROJ. Që kampi më la të kthehesha në shtëpi për të vendosur distancën për të cilën ka nevojë për t’u zmadhuar në mendje. Nga kthimi, në thesaret e mi nuk është shkruar më: KëTU UNë JAM, por as: ATJE ISHA. Në thesaret e mi është shkruar: NUK LARGOHEM NGA ATY. Gjithnjë e më shumë kampi shtrihet nga lobi i majtë i përkohshëm, tek ai i djathti. Për këtë më duhet të flas për kafkën time si për një territor, si territorin e një kampi përqendrimi. E pamundur të mbrohesh, as me heshtje, as me rrëfim. Ekzagjerohet gjithmonë si tek njëri ashtu edhe tek tjetri, por një UNë ISHA, nuk ka tek asnjë prej tyre. E madje nuk ka as ndonjë të mesme. Por thesaret janë, ndaj Tur Prikulitsch kishte të drejtë. Kthimi im në shtëpi është një lumturi e gjymtë, gjithmonë mirënjohës, një karusel i mbijetesës që për çdo absurditet nis të rrotullohet. Më ka në dorë, ashtu siç ka të gjithë thesaret e mi, të cilët nuk mund t’i duroj por as t’i braktis. I përdor thesaret e mi prej më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh. Janë të paqëndrueshëm dhe të bezdisshëm, intimë e refuzues, të harruar e të nxehur, të konsumuar e të rinj. Janë dhuntia e Tur Prikulitsch dhe nuk dallojnë prej meje. Kur i numëroj, pengohem. Nënshtrimi im krenar. Dëshirat e mia të ankthit, të diktuara prej qortimit. Nxitimi im i shqetësuar, kërcimi im nga zeroja tek gjithçka. Pranimi im kokëfortë i heshtur, për shkak të të cilit i jap të drejtë të gjithëve që më pas t’ua përplas sërish në fytyrë. Oportunizmi im i munguar. Koprracia ime e sjellshme. Zilia ime e ngadaltë për ambicie, kur njerëzit e dinë çfarë duan nga jeta. Një ndjesi si e leshit, i ftohtë dhe i ashpër. Boshllëku im i rrëpirtë, gërmuar me lugë tek unë, qenia ime e presuar së jashtmi dhe imtësisht e zbrazur qysh kur nuk duhet të vuaj më urinë. Profili im i tejdukshëm, aq sa duke ecur mes vetes mbledh copëzat e shpërndara. Pasditet e mia të rënda, e ngadaltë koha rrëshqet me mua mes mobilieve. Të lënit thatë tek unë është radikal. Kam nevojë për më shumë afrim, por nuk ia lejoj vetes, e dominoj buzëqeshjen e mëndafshtë në portret. Pas engjëllit të urisë nuk lejoj askënd të më pushtojë. Më i rëndi ndër thesaret e mi është shtrëngimi im në punë. është fytyra tjetër e punës së detyruar, një shkëmbim shpëtimtar. Tek unë ngre folenë tirani i hirit, një i afërm i engjëllit të urisë. Ai di se si ushtrohen thesaret e tjerë. Më ngjitet në tru, më shtyn në magjepsjen e shtrëngimit, sepse kam frikë të jem i lirë. Prej dritares sime duket kulla e krenarisë së Schlossberg-ut të Gracit. Pranë dritares gjendet një tavolinë e madhe për të vizatuar. Në skrivani, gjendet projekti im i fundit, si një mbulesë e bërë shoshë nga të shtënat. është e pluhurosur si vera aty jashtë nëpër rrugë. Kur e vështroj nuk di të kujtohet për mua. Qysh prej pranverës, para shtëpisë sime një burrë shëtit çdo ditë me një qen të bardhë me qime të shkurtër dhe me një bastun të hollë të zi që në vend të dorezës ka vetëm një përthyerje të lehtë, si një stekë vaniljeje e zmadhuar. Po të doja mund edhe ta përshëndesja burrin dhe t’i thoja se qeni i tij i ngjan një derri të bardhë, mbi shpinën e të cilit nostalgjia mund të kalëronte një kohë në qiell. Do të ishte gjë e mirë sikur qeni të dilte një herë për shëtitje vetëm ose me stekën e vaniljes, pa burrin. Ndoshta një ditë do të ndodhë. Unë megjithatë vazhdoj të banoj këtu, edhe rruga mbetet aty ku është dhe vera është ende e gjatë. Kam kohë ndaj pres. Më pëlqen mbi të gjitha të qëndroj ulur pranë tavolinës sime të bardhë, e gjatë dhe e gjerë sa një metër, një katror. Kur kulla e krenarisë shënon dy e gjysmë, dielli hyn në dhomë. Hija e tavolinës mbi dysheme është një valixhe gramafon. Luan këngën e narçizit, ose të Palomës që kërcehet plisse’. Marr jastëkun nga divani e nis të kërcej gjatë pasdites sime të rëndë.

Ka edhe miq të tjerë.
Më ka ndodhur të kërcej edhe me ibrikun e çajit.
Me tasin e sheqerit.
Me kutinë e biskotave.
Me telefonin.
Me alarmin e orës.
Me taketuken.
Me çelësin e shtëpisë.
Miku im më i vogël është një kopsë e shqepur prej palltos.
Nuk është e vërtetë.

Një herë, poshtë tavolinës së bardhë, ishte një kokërr rrushi e pluhurosur. Kërceva edhe me të. Pastaj e hëngra. Pastaj kishte një lloj largësie tek unë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›