Antimafia, në sitë miliona euro

Dosjet e krimit të organizuar vazhdojnë të jenë objekt hetimesh dhe verifikimesh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, megjithëse kanë ose jo të pandehur. Mjafton që individët të jenë hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas vitit 2005 dhe fare thjeshtë mund të bëhen edhe objekt verifikimesh për pasurinë që zotërojnë. Ligji i ri “Antimafie” përcakton se hetimi pasuror ndaj një individi mund të realizohet edhe nëse ai nuk ka një dosje penale, por mjafton që policia ta ketë hetuar për veprat penale që parashikohen në ligjin “Për parandalimin e krimit të organizuar”. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se ka filluar një verifikim i plotë i të gjitha dosjeve hetimore dhe në “sitë” janë miliona euro, ndërsa janë përfshirë të gjithë hetuesit që janë në marrëdhënie pune.
Miliona euroProkuroria e Krimeve të Rënda, konkretisht seksioni i Sekuestrimit dhe Konfiskimit të Aseteve Kriminale, ka filluar shqyrtimin penal të hetimit pasuror, mbi bazë të ligjit “Antimafie”, të të gjitha dosjeve penale të regjistruara pranë këtij institucioni pas vitit 2005. Dosjet, të cilat po i nënshtrohen këtij hetimi pasuror, janë të gjitha ato çështje ku personat janë hetuar apo gjykuar për veprat penale të trafiqeve. Janë përjashtuar nga hetimi të gjitha ato dosje apo persona, pasuritë e të cilëve i janë nënshtruar një procesi gjyqësor, pavarësisht se çfarë vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Apelit. Një urdhër i brendshëm i drejtuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka marrë në shqyrtim të hetimit pasuror qindra procedime penale. Mes këtyre dosjeve që po hetohen janë në shqyrtim edhe ata persona për të cilët nuk është arritur të sigurohen prova materiale për implikimin e tyre në trafiqe të ndryshme, si ato të drogës, armëve apo femrave.
Burime nga akuza qendrore thanë se vlera e pasurisë që pritet të sekuestrohet është miliona euro, ndërsa edhe personat, ndaj të cilëve nuk ka një procedim gjyqësor, i janë nënshtruar këtij hetimi pasuror. Megjithëse prokuroria nuk ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme për ta dërguar në Gjykatë si të pandehur në përfshirjen në një rrjet të caktuar të trafikut të drogës, armëve apo femrave, në këto raste personat mund të preken nga sekuestrimi nëse pasuria e tyre apo pjesëtarëve të ngushtë të familjes nuk përputhet me të ardhurat që ata kanë.
Për të provuar mospërputhjen e pasurisë me të ardhurat që personat e dyshuar si të implikuar në një trafik të mundshëm, prokuroria duhet të ketë bindjen e plotë se këto pasuri janë vënë në mënyrë të dyshimtë, kriminale. Megjithatë, individët e hetuar do të kenë barrën e provës nëse prona është vënë në mënyrë të ligjshme apo jo. Puna e prokurorisë konsiston në mbledhjen e disa provave, ndërsa kanë filluar kërkesat e para në hipoteka dhe në bankat e niveleve të dyta. Prokuroria duhet të kërkojë për një të dyshuar në 24 banka dhe 7 zyra të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Pas mbërritjes së përgjigjeve fillon një hetim gjyqësor për sekuestrimin e tyre dhe në një fazë të dytë nis konfiskimi i tyre mbi bazën e “Ligjit për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar”, pagëzuar si ligji “Antimafie”.
#