E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në prag të Konferencës së Kryetarëve

Biseda me diplomatët spanjollë, gjermanë, britanikë dhe francezë Katër ambasadorë të BE-së takojnë kreun e PS-së, Rama

Ambasadorët kryesorë të Bashkimit Europian në Tiranë zhvilluan dje një takim me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Takimet informale janë zhvilluar në mesditë, në një nga lokalet e kryeqytetit, duke nisur fillimisht me ambasadorin e Spanjës Manuel Mantobbio, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Nuk bëhen të ditura detaje të bisedës së takimit, por vetëm pak ditë më parë, zoti Montobbio përshëndeti nismën e PS-së për të depozituar në Parlament, kërkesën ligjore për hetimin e zgjedhjeve. Pas ambasadorit të Spanjës, Rama është takuar me ambasadorin e Gjermanisë, Bernd Borchard, si dhe me ambasadoren e Britanisë së Madhe, Fionna MCëilham. Gjatë këtij takimi që ka zgjatur disa orë, ka qenë e pranishme dhe ambasadorja e Francës, Maryse Daviet. Sakaq, kryetari i Partisë Socialiste ftoi dje të gjithë qytetarët shqiptarë që nuk pranojnë këtë keqqeverisje për të dalë në protestë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, fokusi i së cilës ishin dy nisma ligjore të PS për hapjen e kutive të 28 qershorit, kreu socialist shprehu shqetësimin për një prej problemeve që hasin në muajt e fundit shqiptarët, faturat me çmime të larta të energjisë elektrike. “çdo shqiptar që nuk është i gatshëm të pranojë kokulur keqqeverisjen që buron nga kutitë e mbyllura të votave të vjedhura të bëhet gati për protesta dhe vetëm protesta”, tha ai. Duke u ndalur te çmimi i energjisë, Rama analizoi pasojat e këtij vendimi për qytetarët shqiptarë dhe doli në përfundimin se kostoja e kësaj fature do të sjellë protesta pa u ndalur dhe pa u tërhequr. “Por, ne nuk kemi ndërmend ta paguajmë koston e grabitjes së zgjedhjeve në faturën e energjisë, të ujit, të ushqimeve, të ilaçeve e me radhë. Ne do të protestojmë për këtë kosto pa u ndalur dhe pa u zmbrapsur”, vijoi ai. Në këtë kuadër selia rozë rikthehet te strategjia e saj, që paralelisht protestës për hapjen e kutive, çështjet sociale të jenë pjesë e tubimeve në të gjithë vendin. Një strategji e tillë është ndjekur edhe në protestat e muajit dhjetor ku u protestua për zgjedhjet, demokracisë dhe drejtësisë në vend. Rama u ndal gjerë e gjatë te problemet sociale që shqetësojnë çdo qytetar shqiptar. çmimi i energjisë, rritja e çmimeve të mallrave të konsumit, taksa për biznesin e vogël etj., janë disa prej çështjeve që selia rozë i bëri objekt të protestave të saj. Madje, pas këtij lajmërimi, Rama ka zhvilluar një takim informal me ambasadorin e Spanjës, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës të BE, Montobbio, në një prej ambienteve luksoze të kryeqytetit. Por sot, në pritje të zbardhjes së fatit të dy nismave ligjore, për të cilat kjo parti thotë se miratimi i tyre është zgjidhja e krizës, energjia elektrike, çmimi i së cilës që prej janarit është 13% më i lartë, do të rikthehet në vëmendjen e saj si pasojë e keqqeverisjes.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›