Vamen: Presidenti, prova e parë për statusin kandidat
Vamen gjatë konferencës së përbashkët me Haxhinaston

Takimi Vamen - Berisha
Ministri danez për Evropën, vend që mban aktualisht presidencën e BE-së, Nikolai Vamen, vjen me një mesazh të qartë për Shqipërinë. Vamen gjatë konferencës për shtyp në përfundim të takimit me Haxhinaston, u shpreh se zgjedhja e presidentit do të jetë prova e parë e Shqipërisë për statusin kandidat për në BE.
Mesazhi i BE-së është shumë i qartë. 24 maji do të jetë prova e parë e këtij zhvillimi. Siç e tha edhe Komisioneri Fyle, dhe unë gjithashtu në cilësinë time si kryetar i presidencës së radhës, e rëndësishme është që të arrihet pikërisht realizmi i kësaj marrëveshje në datën 24 maj, dhe të arrihet një marrëveshje për çështjet kryesore. Pastaj, puna do të vazhdojë për çështjet e tjera, fushat e tjera që lidhet me 12 përparësitë, u shpreh Vamen.
Ministri i Danimarkës për Evropën ka shtuar se kjo nuk është një kusht ekstra por ka të bëjë me pjekurinë dhe vullnetin e politikës. Bëhet fjalë për përgjegjësi të madhe, për sa i takon partive politike dhe udhëheqësve të tjerë në Shqipëri. Dhe nga këndvështrimi ynë si BE, presim që udhëheqësit, politikanët shqiptarë ta justifikojnë këtë pritshmëri tonën, tha Vamen.
Zgjedhje me konsensus e kreut të shtetit ka qenë një kërkesë e shtruar edhe në takimin që Vamen ka pasur sot me kryeministrin Berisha. Ky i fundit e ka siguruar se zgjedhja e Presidentit do të behet me konsultime dhe në zbatim të plotë të germës dhe frymës të Kushtetutës.
Por kjo nuk është një garanci e plotë për një president konsensual pasi në Kushtetutë parashikohet edhe zgjedhja e një presidenti me 71 vota.
Gjithashtu gjatë takimit të tyre është diskutuar edhe për reformën zgjedhore, që sipas Berishës do të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Gjatë takimit, Vamen ka kërkuar nga sqarim lidhur me deklaratën e kreut të PLL-së, Ekrem Spahia ndaj ambasadorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Henk Van den Dool. Berisha duke e cilësuar personal qëndrimin, ka shtuar se deklarata është e papranueshme. /F.Stafa/