Van Basten e sheh veten te Ibrahimoviçi
Legjenda holandeze Marco van Basten ka pranuar se kohë pas kohe i kujtohet vetja kur përcjell golashënuesin më të mirë të Milanit deri më tani gjatë këtij sezoni, Zlatan Ibrahimoviçin.
Van Basten, i cili luajti për Rossonerët dhe fitoi dy Kupa të Evropës dhe tre tituj në Serie A, lavdëroi sulmuesin suedez gjatë një interviste me La Gazzetta dello Sport. “Kohë pas kohe e shoh veten te Ibrahimoviç, mbi të gjitha në shkallën fizike. Ai ka fuqi të jashtëzakonshme, por edhe teknikë të mirë. Mendoj se të krahasojmë dy futbollistët nga dy periudha të ndryshme është vështirë dhe e pakuptimtë”, tha Van Basten.
Mirëpo, ish mjeshtri holandez nuk ka qenë edhe aq i kënaqur me paraqitjet e Milanit këtë edicion dhe beson se ekipi varet tepër nga Ibrahimoviç. Van Basten ishte pjesë e epokës së artë të Rossonerëve dhe luajti së bashku me futbollistë si Frank Rijkaard e Ruud Gullit.
“Krahasimet tani janë paksa të pavenda. Por, për momentin duket se ata janë të interesuar vetëm të fitojnë ndeshjet dhe kjo është në rregull. Pas konsolidimit të rezultateve, ata duhet të mendojnë edhe të luajnë më mirë”, u shpreh ai. Sikurse Van Basten, Ibrahimovic ka ndërtuar reputacion të shënimit të golave të jashtëzakonshme dhe deri më tani gjatë aventurës së tij në Milan ai ka shënuar 13 herë në 21 paraqitje.