E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballack, kundër Lahmit

Nga Express më 17 dhjetor 2010 në ora 10:16

Michael Ballack ka kritikuar mbrojtësin e Gjermanisë, Philipp Lahm për mënyrën si ka vepruar rreth çështjes së kapitenit të ekipit kombëtar. Lahm më herët, gjatë këtij viti, në Kampionatin botëror në Afrikën e Jugut mori shiritin e kapitenit të Gjermanisë nga Ballacku, i cili ishte tërhequr nga ekipi për shkak të lëndimit.

Mbrojtësi i Bayernit kishte thënë se shpreson të bartë shiritin e kapitenit edhe pas rikthimit të Ballackut nga lëndimi. Ndërsa Ballack ka thënë se do të kishte preferuar që Lahm të bisedonte me të rreth kësaj çështjeje në vend se të jepte deklarata publike.

“Është çështje e respektit ndaj kapitenit. Nëse do të kishte biseduar me mua, do të kisha përshtypje tjera. Ne nuk kemi folur nga ajo kohë, por ende kam mendimin tim rreth asaj çështjeje dhe them: Ju nuk duhet të bëni diçka të tillë. Por, ne jemi profesionistë dhe gjërat e tilla nuk janë gjithmonë të rëndësishme, do t’i lëmë të kalojnë”, tha Ballack për të përditshmen gjermane Express.

Ballack, 34 vjeç, iu bashkua Bayer Leverkusenit nga Chelsea në fillim të sezonit, por është paraqitur në vetëm tri ndeshje para se të pësonte një lëndim serioz. Por, ai ka insistuar se nuk planifikon të pensionohet dhe shpreson të gjejë vend në ekipin e Gjermanisë për Euro 2012.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›