Cruyff kritikon Barcelonën

Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff ka kritikuar gjigantin katalan për marrëveshjen rekorde të sponsorimit në vlerë prej 30 milionë eurosh në sezon me Fondacionin e Katarit.
Kontrata është më e madhja në histori të sponsorimit të fanellave në futboll dhe do t’i sjellë klubit 165 milionë euro deri në vitin 2016, por ish ylli holandez beson se ajo shkel historinë e klubit. Cruyff ka thënë se me nënshkrimin e marrëveshjes, slogani i Barcelonës “mes que un club” (më tepër se një klub) është bërë “një klub i rëndomtë”.
“Në aspektin social kemi bërë një marrëveshje të keqe”, tha Cruyff i cili është trajner i ekipit kombëtar të Katalonisë.
“Ekzistojnë zgjedhje tjera në vend të njollosjes së fanellës”, shtoi ai. Barcelona do të vendosë Fondacionin e Katarit në fanellat e tyre së bashku me logon e tashme të UNICEF-it, që e ka bartur në pesë vitet e kaluar pa asnjë përfitim financiar.
Katari u zgjodh nga FIFA për nikoqir të Kampionatit botëror 2022, ndërsa trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola – i cili luajti për skuadrën e Katarit, Al-Ahli në përfundim të karrierës së tij – ishte njëri prej ambasadorëve të tyre në procesin e kandidimit. Fondacioni i Katarit u formua më 1995 nga Sheikh Hamad bin Khalifa Al-Thani të kujdeset për edukimin, hulumtime shkencore dhe zhvillimin e komunitetit në Katar, Lindjen e Mesme dhe më gjerë.