Van Gaal: Tre gola të bukur, por Holanda duhet të përmirësohet

“Plani ynë ishte të krijonim hapësirë dhe gjithçka funksionoi. Ne shënuam gola njëri më i mirë se tjetri. Shënuam gola fantastikë. Në të tretin, mbrojtësi i majtë i shërbeu mbrojtësit të djathtë, e pabesueshme”. Kështu e komenton Louis Van Gaal, trajneri i Holandës fitoren ndaj SHBA-së dhe kualifikimin në çerekfinale të Botërorit. Van Gaal është padyshim i lumtur që ka arritur në çerekfinale, por është shumë e qartë se çfarë duhet përmirësuar për të shkuar edhe më tej.
“Ne nuk jemi ende në lartësinë e duhur në zotërimin e topit. Kur kundërshtari ka topin, ne bëjmë gjithçka siç duhet. Por humbim shumë topa. Duhet të bëjmë shumë më mirë, përndryshe nuk do të bëhesh kampion bote. Dhe kjo është ajo që ne duam, apo jo?”, tha trajneri i kombëtares. “Tani kemi një pushim më të gjatë dhe kjo është e rëndësishme. Unë do t’u jap lojtarëve një ditë pushim, ata nuk kanë pse të më shohin. Dhe kjo është mirë, sepse ata lodhen pak me mua”, përfundoi Van Gaal duke qeshur.