E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van Gaal si Hitleri

Ish-sulmuesi brazilian i Barcelonës, Giovanni Silva de Oliveira, i njohur shkurt si Giovanni ka kritikuar ashpër ish trajnerin e tij, Louis van Gaal për tretmanin ndaj tij dhe futbollistëve të tjerë brazilianë gjatë periudhës që kaloi në Nou Camp.

Ai madje e ka krahasuar atë me Adolf Hitlerin. 38 vjeçari i cili tani luan në Santos kaloi tre sezone në Barcelonë nga 1996 deri 1999 ndërsa pas ardhjes së holandezit Van Gaal më 1997, ai u aktivizua rrallëherë për gjigantin katalan e më pas vendosi të largohej drejt Olympiacosit.

Giovanni ka thënë se Van Gaal (aktualisht trajner i Bayern Munichut) ka diçka kundër futbollistëve brazilian. “Van Gaal është Hitler për futbollistët brazilian. Ai është arrogant dhe ka probleme”, tha Giovanni për të përditshmen portugeze La Folha de Sao Paulo.

“Koha që kam kaluar me të ishte e tmerrshme, ne brazilianët që luanim në ekip nuk e pëlqenim. Ai më hoqi nga ekipi ndërsa kishte mosmarrëveshje edhe me Rivaldon dhe Sonny Andersonin. Gjithmonë na është arsyetuar se nuk kemi stërvitur mirë”, shtoi ai.

Van Gaal konsiderohet si njëri prej trajnerëve më të mirë në botë mirëpo Giovanni dyshon në aftësitë e holandezit. “Më duket sikur ka ndonjë traumë, ai nuk ka ide për futboll, nuk di asgjë, në kohën që kam kaluar me të ai gjithmonë bënte stërvitjet e njëjta, ai është i sëmurë, njeri i çmendur”, u shpreh Giovanni i cili tregoi një incident që e kishte hidhëruar shumë kur Van Gaal e urdhëroi të udhëton në Tenerife për një ndeshje kampionale para se të vendosë që të mos e ftojë në ekip.

“Ai më nervozonte shumë. Jam njeri i qetë nëse nuk goditem në fytyrë. Kam bërë udhëtim të gjatë tre ose katër orë nga Barcelona, e më pas më tha se nuk i nevojitem. Kam mundur të qëndroj në shtëpi me familjen. Pse më mori me vete? I kam thënë të mos e përsërit dhe një gjë e tillë nuk ndodhi më kurrë”, tregoi ai.

Në fund, Giovanni mori një formë ngushëllimi pas humbjes së Bayern Munichut në finalen e Ligës së Kampionëve nga Inter me rezultat 2-0, më 22 maj në stadiumin e Real Madridit, Santiago Bernabeu. Por, ai nuk është i kënaqur me rezultatin. “Do të kisha pasur dëshirë që Inter të kishte fituar 15-0 me pesë gola të Lucios”, përfundoi ai.

Menjëherë pasi erdhi në Bayern, Van Gaal kishte vendosur që mbrojtësin brazilian Lucio, ta largoj nga klubi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›