Van Gal Titulli i veshtire Bajern Mynih mendon per Bufon
Trajneri i Bajernit të Mynihut, Luis van Gal, pranoi se skuadra e tij do ta ketë të vështirë të arrijë Borusian e Dortmundit në krye të Bundesligës dhe të mbrojë titullin kampion. Pas një fillimi jo të mirë të kampionatit, tashmë bavarezët renditen të pestët me 29 pikë, 14 më pak se vendi i parë në klasifikim. Pas fitores 3-5 të së dielës në fushën e Shtutgartit, Van Gal deklaroi se nuk ka shumë shpresa për titullin, duke theksuar se vendi i dytë është objektivi më real. Ai deklaroi: “Borusia është shumë e shkëputur, por ne mund të rikuperojmë 4 pikët që kemi diferencë me vendin e dytë. Përcaktuam që në mes të sezonit të kishim 30 pikë, por kjo nuk u realizua. Gjithsesi, të gjitha skuadrat e tjera kanë humbur pikë”. Ndërkohë, Bajerni është në kërkim të një portieri dhe Xhanluixhi Bufon është një kandidat potencial. Megjithatë, skuadrat e interesuara për “gardianin” e Juventusit janë të shumta. Gjermanët duket se janë të gatshëm të plotësojnë pretendimet ekonomike të bardhezinjve, të cilët kërkojnë 15 milionë euro për Bufon.