Murinjo sulmon Realin U lodha duke luftuar i vetem
Zemërimet në fushën e lojës, polemikat dhe lufta verbale jashtë saj. Ambienti rreth “Santiago Bernabeut” është nxehur nga Zhoze Murinjo. Trajneri portugez është acaruar me gjyqtarin e ndeshjes me Seviljan, por edhe me vetë Realin e Madridit si institucion. “Konferencë historike për shtyp”, shkruante “El Mundo”: “Është e pamundur që në të gjithë historinë e klubit të ndeshesh me një pozicionim kaq të jashtëzakonshëm. Në ‘Bernabeu’ janë ndezur të gjitha sinjalet e alarmeve, fjalët e Murinjos kanë shënuar një linjë që do të na tregojë se cila është pesha e tij në klub”. “As” kritikon rëndë teknikun, ndërsa në Barcelonë ky ishte rasti që të gjithë prisnin: “Shpërthen bomba Murinjo” (Mundo Deportivo).
Kundër Seviljas, “merengues” fituan 1-0 me shumë vështirësi. Ndeshja u karakterizua nga kartonët e shumtë dhe gabimet e gjyqtarëve, ndërsa në pushimin mes pjesëve plasi edhe një sherr ndërmjet pankinave. Në anën tjetër, për sa i takon trajnerit portugez, ai e mbylli vitin në mënyrën e tij: duke fituar në fushë, duke sulmuar gjyqtarët, por duke u pozicionuar edhe kundër vetë klubit. Pas suksesit të vuajtur, Murinjo u bë protagonist i një konference për shtyp të zjarrtë, ndërsa edhe pse nuk ka përmendur emra konkretë, të gjithë në Spanjë janë të bindur se zemërimi i trajnerit lidhet me mbrojtjen e munguar nga Horge Valdano. Drejtuesi i stolit madrilen u paraqit përpara gazetarëve me një letër, të përgatitur nga klubi, në të cilën citoheshin me detaje gabimet e gjyqtarit Karlos Klos Gomez. “Kemi renditur 13 gabime të rënda të arbitrit, por nëse flas për to, do të më dënojnë dhe nuk do të mund të drejtoj skuadrën në ndeshjen e radhës. Nuk do të përmend asgjë që lexohet këtu, sepse dua të jem pranë skuadrës në sfidën e ardhshme. Më keni pyetur nëse jam lodhur nga presioni, por unë nuk ndiej presion kur bëj gjërat që i dua. Megjithatë, jam lodhur nga kjo që po ndodh”. Pikërisht këtu kanë nisur deklaratat e portugezit: “Jam i lodhur që po më jepet një listë me gabimet e rënda të gjyqtarit dhe që më kërkohet ta sulmoj unë. Skuadra ime meriton të mbrohet. Nëse them atë që mendoj, jam i bindur se nesër do të jem në faqet e para të të gjitha gazetave dhe do më skualifikojnë përsëri. Ka një klub, ka një statut dhe mbrojtja e skuadrës duhet të nisë që atje. Është shumë e lehtë të fshihesh pas trajnerit”. Sipas mediave spanjolle, në shënjestrën e “Mou” ishte drejtori i përgjithshëm, Valdano, ndërsa deklarata vazhdoi: “Me sa duket duhet të kërkoj një mbledhje urgjente me presidentin Florentino Perez”.
Pjesa tjetër e deklaratave janë pak a shumë “të zakonshme” për Murinjon: “Ajo që ndodhi në ndeshje nuk e meriton të komentohet. Kam një skuadër me jashtëtokësorë, me karakter të një bote tjetër. Pavarësisht mungesave të rëndësishme, arritëm një rezultat që dukej i pamundur”. Në fund, ai foli edhe për Benitez. “Jam i lumtur dhe krenar që Interi fitoi Botërorin e klubeve. Benitez? Mendoja se do të më falënderonte për titullin që i dhurova, por… kjo nuk ndodhi. Pyesni pak interistët se çfarë mendimi kanë për mua dhe çfarë mendojnë për Benitez”, përfundoi “spaciali”.