Van Gal sfidon Maradonën: Ma jepni mua Argjentinën!
Aloysius Paulus Maria van Gaal, i njohur më shumë si Luis van Gaal, teknik i klasit botëror, ndërhyn me vrull në mesin e tratativave mes Diego Armando Maradonas e AFA-së (Federatës Argjentinase të Futbollit) për rinovimin e kontratës edhe për një tjetër katërvjeçar. Van Gal është një nga trajnerët më fitues në qarkullim dhe, edhe pse vjen nga një sezon i pasur me suksese në krye të Bajernit, vazhdon të mendojë për të ardhmen. Një të ardhme ndoshta jo shumë të shpejtë, por që mund t’i rezervojë realizimin e ëndrrës së fundit të një karriere të lavdishme. Trajneri holandez, i cili ka qenë shumë pranë marrjes së drejtimit të skuadrës së njohur argjentinase, Boka Zhuniors, e ka përqendruar mirë shënjestrën dhe ka deklaruar dje: “Quiero ser el DT de un país que quiera ganar algo. Puede ser Argentina” (“Dua të jem trajneri i një kombëtareje, që dëshiron të fitojë diçka. Dhe kjo kombëtare mund të jetë Argjentina”). Fjalë shumë eksplicite, të cilat po bëjnë xhiro në faqet e para të mediave argjentinase. Më pas ai në listën e tij ka përshirë edhe dëshirën për të drejtuar Gjermaninë ose Spanjën. Prandaj ndoshta do të rinovojë edhe për një vit, deri në 2012, kontratën me Bajernin dhe pastaj, do të marrë drejtimin e një kombëtareje. “Në realitet tundohem të largohem nga Bajerni, sepse tani është koha kur kërkohen trajnerë të rinj për përfaqësueset”, ka theksuar tekniku holandez i kampionëve të Gjermanisë. Në realitet, Van Gal ka qenë një herë trajner i një kombëtareje. Pikërisht në 2000-n mori drejtimin e Holandës, por dështoi në një mënyrë spektakolare në eliminatoret e Botërorit Japoni-Kore e Jugut 2002. Një kujtim që pa dyshim dhemb akoma, diçka për t’u fshirë nga një kurrikulum thuajse perfekt. Pasi ka parë Seleksionin të dalë nga skena e Botërorit Afrikë e Jugut 2010 “asfaltuar” nga Gjermania, trajneri holandez ka deklaruar hapur kandidaturën e tij për të drejtuar skuadrën “albiceleste”. Van Gali është trajner i Bajernit të Mynihut, por në një moment nëse do i rivinte një ofertë nga Federata Argjentinase e Futbollit, ai do të ishte i gatshëm që të diskutonte për arritjen e një marrëveshjeje. Kontrata e tij me klubin holandez është e vlefshme deri në vitin 2012, por gjithçka mbetet e hapur. Sot, ose maksimumi të mërkurën, Hulio Grondona duhet të takojë Diego Armando Maradonën për të rinovuar kontratën në prag të fillimit të ndeshjeve për Kupën e Amerikës (2011), e cila do të zhvillohet në Argjentinë dhe për Botërorin e ardhshëm (2014) në Brazil. Fërkimet nuk mungojnë mes “El Pide de Oro”-s dhe Federatës Argjentinase të Futbollit, për çështje relative me stafin e Seleksionit dhe disponibiliteti i Luis Van Galit duket se do ta rihapë lojën. Një çështje që mund të ketë zhvillime surprizë. Të shikojmë. Ndërkohë, Maradona është sulmuar dje hapur nga Hernan Krespo, i cili theksoi se Argjentina i kishte të gjitha cilësitë për ta fituar Botërorin, por e humbi atë sepse nuk kishte trajner.
#