E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stuhia zë 100 pistoleta e 4 trafikantë

Trafik armësh Kosovë-Shqipëri Armët e tipit Mini Blow dyshohet se kishin për destinacion Tiranën e Durrësin

TIRANË - Pas një pauze disamujore, riaktivizohet sërish linja e trafikut të armëve mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke sjellë plot 100 pistoleta tip “Mini Blow”. Armët e vogla që dyshohet se e kanë origjinën nga Turqia, hynë në vendin tonë orët e para të mëngjesit të djeshëm nëpërmjet pikës doganore të Morinës dhe kishin si destinacion tregun vendas. Pas më shumë se dy muajsh hetime, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokuroria për Krime të Rënda bënë të mundur arrestimin e katër personave, të cilët po transportonin dhe sasinë e armëve, që nga një përllogaritje paraprake kapin vlerën e rreth 25 mijë dollarëve. Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë thanë se në kuadër të operacionit “Stuhia”, u arrestuan Alfred Qafa, 25 vjeç, lindur e banues në Fushë-Arrës, Fiqiret Onuzi, 26 vjeç, Bujar Ajeti (Germizi), 37 vjeç dhe Baftjar Halilaj, 31 vjeç, të tre lindur e banues në Kukës. Sipas policisë, katër personat u kapën në flagrancë në aksin e rrugës Fushë-Arrës-Kukës, teksa transportonin me mjetin tip “Ford”, me targa KU 077 të tipit taksi 100 armë zjarri, pistoleta model “Mini Blow”, të kalibrit 6.35 mm. Megjithëse, jozyrtarisht, burime pranë Prokurorisë për Krime të Rënda thanë se kjo linjë trafiku hetohej prej rreth dy muajsh, kohë gjatë së cilës personat e përfshirë në trafik janë mbajtur nën përgjim. Megjithëse të parapërgatitur për një sasi të tillë armësh, forcat e policisë dhe prokuroria nuk kanë pritur që transportuesit të arrijnë në destinacion, i cili dyshohet se ishte kryeqyteti dhe qyteti bregdetar i Durrësit. Armët e destinuara për tregun vendas dyshohet se janë porositur në Kosovë pak kohë më parë dhe pasi ato të mbërrinin në Tiranë e Durrës, do të shiteshin me çmimin 200-250 dollarë copa, pasi në Kosovë blihen shumë më lirë. Megjithëse një biznes jo shumë fitimprurës, katër personat e arrestuar kanë marrë përsipër riskun që t’i transportojnë pistoletat, punë për të cilën do të merrnin edhe pjesën e tyre të shpërblimit. Paraprakisht, bëhet me dije se pistoletat janë nisur nga Kosova pak para mesnatës dhe se mëngjesin e djeshëm, rreth orës 2:00, ato janë ndaluar në afërsi të Fushë-Arrësit. Gjatë itinerarit që kanë përshkruar armët deri në momentin e ndalimit dyshohet se janë përdorur dy grupe transportuesish. Grupi i parë ka sjellë armët nga Kosova drejt kufirit me Shqipërinë, aty ku janë pritur nga katër personat që kishin si detyrë t’i transportonin drejt qytetit bregdetar, ku dyshohet se do të priteshin nga të tjerë persona. Por mes tre grupeve që policia dyshon se janë përfshirë në këtë linjë trafiku, u bë i mundur ndalimi i katër personave, të cilët rrezikojnë dënimin me nga 20 vjet heqje lirie për veprën penale të “trafikimit të armëve luftarake” në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›