E Shtunë, 31 Tetor 2026

Van Rompuy Populizmi kercenon shengenin

“Rryma e populizmit” po kërcënon marrëveshjen shengen të BE-së mbi hapjen e kufijve, ka paralajmëruar kreu i Këshillit Europian Herman Van Rompuy.

Duke folur nga Rumania, e cila po lobon me fqinjën e saj Bullgarinë për t’u bashkuar në zonën shengen këtë vit, Van Rompuy, tha se në hapësirën e lirisë dhe shtetit të së drejtës në Europë, nuk ka vend për stigmatizim të të huajve.

Fryma anti emigracion po përflitet mjaft në Francë dhe Hollandë.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, liderja e frontit kombëtar Marin le Pen, një parti ultranacionaliste që kundërshton Bashkimin Europian e monedhën e përbashkët euro fitoi rreth 18% të votave. Një rezultat i tillë bëri që kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i komisionit Europian Hoze Manuel Barroso të paralajmëronin për kërcënim tëe populizmit.
Van Rompuy tha se fryma e populizmit po kërcënon atë që konsiderohet arritje kyçe e integrimit evropian, që është lëvizja e lirë e njerëzve brenda kufijve tanë.

Van Rompuy ka folur në prag të bisedimeve të ministrave të drejtësisë të BE në Luksemburg, të cilat pritet të diskutojnë për çështjet që shqetësojnë Shengenin.

Sipas një deklarate të BE-së, ministrat do të miratojnë një plan për të siguruar një përgjigje koherente të BE-së ndaj presioneve të vazhdueshme të anti-emigrimit.

Rregullat Shengen aplikohen në 25 vende, duke përfshirë edhe vende jo anëtare të BE-së, si Islanda Norvegjia dhe Zvicra. Britania e Madhe dhe Republika e Irlandës nuk marrin pjesë.
Por kriza ekonomike ka rritur presionin për të mbajtur emigrantët e paligjshëm jashtë. Vitin e kaluar Franca dhe Italia bënë thirrje për më shumë mbikëqyrje të kufijve të Evropës.

Gjermania dhe Franca kërkojne që BE t’i lejojë shteteve të shengenit të rivendosin kontrollin e kufijve për më shumë se 30 ditë për të parandaluar ndonjë fluks të madh të emigranteve të paligjshëm.

Vitin e kaluar qeveria hollandeze bllokoi një marrëveshje të BE-së, për të lejuar Bullgarinë dhe Rumaninë t’i bashkohen shengenit, me argumentin se këto dy vende duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar emigrantët e paligjshëm të bëhen pjesë e krimit të organizuar, përfshirë trafikimin e njerëzve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›