E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsolidimi i sektorit te turizmit ne vend

Turizmi në Shqipëri si një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë me një kontribut prej 1,2 miliardë eurosh, 43% të eksporteve dhe 14,7% të PBB, tashmë po konsolidohet si një industri e vërtetë në vend. Vitet e fundit janë shtuar me intensitet subjektet që janë përfshirë në veprimtaritë e këtijë sektori. 300 subjekte të ndryshme që operojnë në biznesin e agjencive turistike në vend punojnë si një strukturë e vetme nën ombrellën e Shoqatës shqiptare të Turizmit, ATA. Sipas drejtuesve të kësaj shoqate për të rritur cilësinë e aktivitetit të vet, prej katër vitesh ka marrë mbështetjen e ekspertëve të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ. Duke qenë një organizëm që ka bashkëpunuar me vende të tjera të rajonit në këtë fushë, kjo shoqëri ka planifikuar që këtë eksperiencë ta ndaj edhe me operatorët e turizmit shqiptarë. Me një model suksesi në riorganizimin dhe fuqizimin e rrjetit të operatorëve dhe subjekteve të industrisë turistike në disa vende të rajonit, ekspertët gjermanë e kanë përshtatur këtë model edhe në tregun shqiptar, përmes një organizimi të vetëm turistik. Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ, me përvojën e saj ka bashkuar të gjitha shoqatat e interesuara në treg, atë të agjencive të udhëtimit, të hotelerisë, të restoranteve, ndërkohë që tenton të përfshijë dhe aktorë të ndryshëm të industrisë turistike, si aeroportin, agjencitë e udhëtimit, apo guidave që po krijohen, për të formuar një strukturë ombrellë, që është Shoqata Shqiptare e Turizmit. Aktualisht veprimtaria e kësaj shoqate përfaqëson një zë më të fortë në ngritjen e problemeve për autoritetet, për të lobuar me aktorë të ndryshëm të interesit nga sektori privat, ai publik dhe shoqëria civile, në aspekte që lidhen me kuadrin legjislativ apo dhe në marrëdhëniet me pushtetin vendor. Ndërkohë që fokusohet edhe në bashkëpunimin me subjektet homologe në rajon, duke zhvilluar veprimtari të përbashkëta si panaire, forume e shkëmbime të eksperiencave.
Aktualisht bashkëpunimi midis shoqatës shqiptare dhe asaj gjermane bazohet në hartimin e një plani 3-vjecar për të orientuar projektet zhvilluese më shumë drejt rajoneve të ndryshme të Shqipërisë, për forcimin, trajnimin dhe edukimin e stafeve. GIZ ka mbështetur në dy vitet e fundit dhe prezantimin nga ATA të Indeksit të Klimës së Turizmit Shqiptar që evidenton një sërë aspektesh që kanë të bëjnë me zhvillimin e industrisë turistike në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›