Van Rompuy: Vendi i Greqisë, në Eurozonë

Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy gjatë një vizite në Athinë ka shprehur përkrahjen e tij ndaj qeverisë së kryeministrit Andonis Samaras duke deklaruar se vendi i Greqisë është në Eurozonë.
Por ai ka theksuar se është më se e nevojshme që të vazhdohen reformat dhe të respektohen angazhimet ndaj kreditorëve në mënyrë që Europa të vazhdojë mbështetjen e saj.
“Unë nuk kam asnjë dyshim se e ardhmja e Greqisë është në zonën e euros. Per aq kohë sa Greqia është e angazhuar për euron, partnerët e saj do të vazhdojnë të mbështesin plotësisht përpjekjet e saj” shtoi ai.
Van Rompoy ka shprehur konsideratën e tij të thellë për përpjekjet që po bën Athina për konsolidimin fiskal, reformat e rëndësishme dhe përpjekjen e madhe të qytetarëve, duke arritur një reduktim të konsiderueshëm të deficitit gjatë viteve të fundit.
Nga ana e tij kryeministri Samaras ka vlerësuar para funksionarit të lartë europian sakrificat e popullit grek, si dhe nevojën e lëvrimit të këstit prej 31,5 miliard euro në mënyrë që të rifillojë rimëkëmbja e ekonomisë.
“Ashtu siç i deklarova edhe presidentit, toleranca e njerëzve ka arritur limitin e vet dhe sakrifica e tyre duhet të japë fryt. Kjo do të thotë rimëkëmbje e ekonomisë sa më shpejtë të jetë e mundur” tha ai.
Përfaqësuesit e FMN, BE dhe BQE, e ashtuquajtura trojka, do të vlerësojnë përparimin e Greqisë ndaj objektivave të përcaktuara në ditët në vijim, para se te japin dritën jeshile për marrjen e këstit të radhës.