Van Rompuy kërkon bashkëpunimin BE-Turqi

Duke lavdëruar rolin aktiv të Turqisë në rajon, presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, i bëri thirrje bllokut 27 anëtarësh për bashkëpunim më të ngushtë me vendin kandidat, pa pritur rezultatet e negociatave të ardhshme për anëtarësim.
“Turqia u bë vend kandidat në vitin 1999, kurse në vitin 2005 u hapën negociatat e anëtarësimit. Këto janë të vështira dhe të ndërlikuara, por ka mundësi të bëjmë përparime vitin e ardhshëm. Reformat e Turqisë, pjesërisht të realizuara për të aderuar në standardet e BE-së, kanë dhënë rezultate mbresëlënëse”, pohoi Van Rompuy gjatë një vizite në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.
“Në të njëjtën kohë, Turqia luan rol aktiv në marrëdhëniet me fqinjët. Po ndërmjetëson mes Sirisë dhe Izraelit si dhe po përparon në kontaktet me Armeninë”, shtoi ai gjatë një ligjërate në Akademinë e Shkencave të Hungarisë. “Turqia po ashtu është anëtare me të drejta të plota e G-20-ës, ashtu si pesë prej vendeve të BE-së. Për mendimin tim, edhe pa pritur rezultatet e negociatave, Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë një partneritet të ngushtë me Republikën e Turqisë”, tha kreu i Këshillit të Evropës, duke theksuar se besueshmëria e BE-së si një lojtar global varet nga arritjet mbi fqinjësinë.
Hungaria do të marrë presidencën e BE-së pas Belgjikës në janar 2011. Zyrtarët belgë dhe turq kanë konfirmuar se nuk është e mundur të hapet një kapitull i ri negociatash gjatë gjashtë mujorit të presidencës belge, ndërsa pala turke shpreson ta bëjë këtë gjatë gjashtëmujorit të presidencës hungareze. Më herët, ministri i Jashtëm i Belgjikës, Steven Vanackere, në një intervistë me “Today’s Zaman” të mërkurën në Bruksel, u shpreh optimist mbi procesin e anëtarësimit të Turqisë. “Treni është në binarë”, pohoi ai.
Ish-komisionari evropian për zgjerimin, tashmë në postin e Komisionarit të ekonomisë dhe çështjeve monetare, Oli Rehn, pati deklaruar se “treni” i Turqisë rrezikon të “përplaset” me Brukselin, nëse vendi kandidat nuk plotëson disa kushte të caktuara. “Vërej që treni mbetet në rrugën e duhur dhe do të shohim që përpjekjet e ardhshme do të japin rezultat në presidencën e radhës”, theksoi Vanackere. Sipas tij, qeveria turke nuk mundi të përgatitet për hapjen e kapitullit të negociatave, pasi ua kushtoi energjitë ndryshimeve të rëndësishme kushtetuese.
Ministri i Jashtëm hungarez, Janosh Martoni, u zotua se do të bëjë të pamundurën për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të Turqisë në gjashtë muajt e ardhshëm. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të bëjë një zgjedhje strategjike. “Ose do të formohet një Perandori e re Otomane jashtë BE-së, e cila do ta konkurrojë këtë të fundit, ose forcat do të bashkohen dhe Turqia do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Besoj se anëtarësimi do të sillte avantazhe domethënëse për Unionin”, citohet të ketë thënë Martoni. Ai shtoi se Turqia nuk duhet të zhgënjehet nga problemet politike gjatë procesit të anëtarësimit, por të përqendrohet te negociatat.