Media ne gjendje te rende
Kriza po godet rëndë edhe sektorin e medias së shkruar dhe elektronike në Greqi. Dy muajt e fundit janë mbyllur dy gazeta historike dhe rreth 250 punonjës janë hedhur në rrugë. E kapluar nga kriza e thellë, media e shkruar dhe elektronike greke të kujton shprehjen e njohur “shëmbëlltyra jote jam shoqëri dhe të ngjaj”. Kriza në shtypin grek reflekton në radhë të parë krizën në ekonominë dhe shoqërinë greke. E vërteta është se vendi prodhon më shumë informacion se sa mund të konsumojë, me një mori të panumërt gazetash, revistash, kanalesh televizive dhe radiosh që me malin e borxheve dhe personelit të tepërt një zot e di se si mund të mbijetojnë përballë cunamit të krizës. Vite më parë një diplomat suedez, kur u informua se në Greqi dalin rreth 10 të përditshme të mëdha, u habit dhe tha se “në Suedi, vend me lexueshmëri më të lartë, dalin vetëm 3”. Problemi më i madh në fakt është traumatizimi i thellë i kredibilitetit të mediave, i cili filloi që në vitet ‘90, me hyrjen në fushën e informacionit të afaristëve të mëdhenj dhe allishverishit të madh politik dhe ekonomik që pasoi. Kambanat e krizës nuk vonuan të bien. Në fillim të tetorit uli qepenat e përditshmja historike e sensit të djathtë “Apogevmatini”, që hyri në status falimentimi duke hedhur në rrugë 100 punonjës. Të premten e fundit të nëntorit pezulloi botimin e përditshmja historike e krahut të majtë “To Vima”, që del vetëm në formë elektronike, duke i bërë më të besueshme Kasandrat për perspektivën gjithnjë e më të zymtë me rreth 250 të liruar aktualisht nga puna dhe kontratat personale, në vend të asaj kolektive, në kanalin televiziv “Skai” me reduktim deri 20% të rrogave. Parashikohet një “dimër” i vështirë në qoftë se botuesit dhe afaristët nuk ulen të negociojnë dhe të vendosin së bashku kushtet me punonjësit që luftojnë për mbijetesën. Kritikat për inaktivitet sindikalist në fakt marrin trajtën e një zemërimi të hapur. Kreu sindikalist i gazetarëve të Athinës, Panos Sobollos, u qëllua me shishe plastike uji dhe kafe në grevën e 30 nëntorit ku grevistët dolën me kërkesën për sindikatë unike, të gazetarëve dhe teknikëve. “Kjo gjë po bëhet tani më se e nevojshme dhe po krijohet një front i përbashkët”, thotë presidenti i Federatës Panhelenike të Unionëve të Gazetarëve, Stamatis Nikollopullos. “Nuk do të pranojmë përmbysje të marrëdhënieve të punës, nuk do të pranojmë të kthehemi pas 20-30 vjet. Është çështje demokracie”, thotë Nikollopullos dhe e cilëson këtë si “vijën e kuqe” për masën e madhe të gazetarëve që nuk kanë asnjë lidhje me disa “yje televizive të transformuar në pronarë frekuencash dhe botues”, por ruajnë deontologjinë dhe luftojnë për një gazetari gjithnjë e më të mirë.