E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa iu drejtohet britanikëve

Nga Express më 24 dhjetor 2010 në ora 16:30

Papa Benedicti i XVI-të i ka bërë thirrje njerëzve që ta kujtojnë rëndësinë e lindjes së Krishtit. Këto komente Ati i Shenjtë i bëri gjatë një mesazhi radiofonik, të transmetuar nga BBC-ja në prag të Krishtlindjeve.

Kjo është hera e parë që kreu i kishës katolike i drejton mesazh një vendi, të cilën e ka vizituar gjatë vitit. Papa vizitoi Anglinë dhe Skocinë në muajin shtator.

Transmetimi i mesazhit tre minutash të Papës ka shkaktuar kundërshtimin e sekularistëve në Britani, të cilët kanë kritikuar BBC-në që i ka dhënë qasje të lehtë kreut të Vatikanit.

“Zoti është besimplotë kur bën premtimet e tij, por shpesh herë ai na habit me mënyrat se si ai i realizon ato”, deklaroi Papa në porosi.

Ati i shenjtë tha se lutet për të sëmurët dhe të moshuarit, si dhe për ata që po shkojnë drejt çdo forme të vuajtjes dhe mjerimit.

Në mesazhin e tij ai përmendi vizitën e fundit në Mbretërinë e Bashkuar të mbushur me “dhembshuri të madhe” dhe shprehu gëzimin e tij që përshëndeste sërish dëgjuesit britanikë.

“Të dashur miq nga Skocia, Anglia dhe Uellsi, si dhe nga gjithë bota anglishtfolëse, dua që ta dini se jeni pjesë e lutjeve të mija në këtë sezon të shenjtë”, tha Papa.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›