E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjel Dule: “PBDNJ-ja do të jetë pjesë e koalicionit të majtë”



Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojë të jetë pjesë e koalicionit të majtë. Zërat që flisnin për një afrim me kryeministrin Berisha për formimin e qeverisjes së re janë hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Gjatë një konference për shtyp Dule sqaroi opinionin publik se partia që ai drejton do të qëndrojë në koalicionin e majtë. “Tipari dallues i yni është integriteti, luajaliteti dhe koherenca në vendimmarrje”, - theksoi Dule, i cili shtoi se me kryeministrin Berisha këtë parti e ndajnë shumë gjëra thelbësore. Kreu i PBDNJ-së nënvizoi se partia e tij nuk arriti objektivat e saj në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që deklaroi se vonesat në nxjerrjen e rezultatit janë tërësisht të pajustifikueshme. Sipas Dules, zgjedhjet vërtetuan shqetësimet e partive në vogla në lidhje me Kodin e ri Zgjedhor. Kreu i PBDNJ-së, gjithsesi, nuk i kurseu kritikat në drejtim të aleatit të madh të koalicionit, Partisë Socialiste. Sipas Dules, Partia Socialiste nuk mundi t’i mbrojë votat e PBDNJ-së. Ai tha se tashmë duhet të bëhet një analizë e gjerë midis këtyre dy partive për të analizuar nëse vërtet Partia Socialiste nuk kishte mundësi që t’i mbronte këto vota, apo nuk pati vullnetin e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Gjithsesi, Dule shprehu pakënaqësinë për rezultatin që PBDNJ-ja arriti në zgjedhjet e 28 qershorit, duke theksuar se është i gatshëm që të marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë politike për këtë rezultat. Ai deklaroi gjithashtu se PBDNJ-ja do të zhvillojë kongresin e saj të jashtëzakonshëm në lidhje me këtë çështje. Në zgjedhjet e 28 qershorit, ndryshe nga sa pritej, PBDNJ-ja fitoi vetëm një mandat deputeti në qarkun e Vlorës, i cili i përket pikërisht kryetarit të kësaj partie, Vangjel Dule.

3 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›